Editoriali: Të gjithë njësoj

  • 20 July 2017 - 17:26
Editoriali: Të gjithë njësoj

Lufta për pushtet i ka zhvlerësuar edhe ata më të zëshmit dhe parimorët, më antikonformistët dhe të ndershmit. Flamurtarët e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, sot e kanë ulur kokën dhe po bëjnë pazaret e tyre për ndonjë kolltuk apo pozitë. Kjo politikë aktuale, veç parime nuk mund të ketë, se për programe dihet se nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë ndonjëherë. Qytetari kosovar, i lodhur dhe i izoluar, i papunë ose i punësuar sa për të mbijetuar, është i detyruar të durojë sërish talljen politike pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Është lehtësisht e qartë se asnjë parti nuk mërzitet fare për popullatën, shqetësimet e njerëzve, varfërinë e papunësinë, shëndetësinë e arsimin, sigurinë dhe drejtësinë, por qëllimin kryesor e ka si të rehatojë grupin e interesit që e udhëheq, klanet biznesore, familjarët e ngushtë. Politika e sotme kosovare është një turp për këtë vend dhe si e tillë është vështirë të presim ditë më të mira. Ndryshimet janë të domosdoshme, duke nisur nga vetë subjektet aktuale e deri të dalja në skenë e alternativave të reja. Këtyre politikanëve u mungon përgjegjësia dhe llogaridhë- nia. Edhe pse ka liderë që rregullisht humbasin në zgjedhje, asnjëherë nuk japin dorëheqje apo të marrin përgjegjësi për dështimin e tyre. Ky lidership i mbrapshtë, gjithnjë gjen arsyetim për humbjen e tij, duke gjetur gjithfarë alibish, vetëm e vetëm që të mbajnë me çdo kusht e çdo çmim karrigen e shefllëkut. Ky është një model politik tipik kosovar, që do të vazhdojë për sa kohë vetë partitë nuk vendosin kritere të qarta në statutet e tyre, ku secili lider, që humbet në zgjedhje dhe përfundon në opozitë, duhet të japë dorëheqje nga pozita. Nëse do të ishte aplikuar një normë e tillë demokratike, sot partitë do të ishin dukshëm më ndryshe, më të besueshme dhe më të hapura, më efikase dhe më shpresëdhënëse. Por, ky soj liderësh, që sot i kanë gjërat në dorë, nuk lejojnë një frymë të tillë politike.

(Kosova Sot)