Editoriali: Koalicionet joparimore prodhojnë qeverisje pa parime

  • 21 July 2017 - 17:09
 Editoriali: Koalicionet joparimore prodhojnë qeverisje pa parime

Kur Partia Demokratike e Kosovës vendosi ta nominojë Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër, në një koalicion, që dihej se do të dilte i pari, ndonëse jo në shifrat modeste që u rendit në zgjedhjet e 11 qershorit, të gjithë e panë se ky subjekt bëri sikur harroi qëndrimet e liderit opozitar për marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kur Lidhja Demokratike, lideri i së cilës goditej me gaz e gjuhej me ujë në seancat e Kuvendit, filloi të flirtojë me 'Vetëvendosjen' e Albin Kurtit, u pa qartë se partia e kryeministrit në shkuarje e mbylli njërin sy për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që kundërshtohet kategorikisht nga VV-ja. Në rrugëtimin drejt pushtetit, duket se nuk vlen asnjë parim. Kjo qasje makiaveliste e politikanëve tanë e zbeh secilën qeveri që krijohet pas zgjedhjeve. Partitë janë bërë më të pabesueshme se kurrë dhe është qesharake kur dalin për të demantuar lajmet që lansohen në medie.

Askush nuk mund t'u zërë besë më! Pa përjashtim, secili subjekt është përbetuar për këtë apo atë vijë të kuqe, por në fund i ka shkelmuar të gjitha zotimet dhe është hedhur në prehrin e pushtetit. Koalicionet joparimore janë e keqja kryesore, por jo e vetmja. Asnjë subjekt nuk ka një program të gatshëm qeverisës, për t'i ofruar një mundësi zhvillimore Kosovës. Të mbetur në fatin e improvizimeve, çdo qeveri e re duhet të ketë shumë fat, për të mbijetuar në këto rrethana politike, ku vota e deputetit shihet si biznes e jo si mundësi. Ky brez politik është i destinuar të jetë burim krizash dhe konfliktesh, pa arritur dot të ngjallë shpresën e qytetarëve të këtij vendi. Liderët janë pazarxhinjtë kryesorë, ndërsa klientelat që u shkojnë pas ushqehen prej korrupsionit dhe abuzimeve me sektorin publik. Deri tash, asnjë shenjë nuk tregon se diçka po ndryshon në këtë drejtim, prandaj, gjasat për një kthesë pozitive gati janë zero.

(Kosova Sot)