Editoriali: Rugovist lind, rugovist bëhesh!

  • 22 July 2017 - 17:30
Editoriali: Rugovist lind, rugovist bëhesh!

Sa ishte gjallë Presidenti historik Ibrahim Rugova nuk kishte dilema të forta se si bëhej Qeveria, sepse në atë kohë LDK-ja korrte fitore të njëpasnjëshme nën udhëheqjen e liderit të saj, të njohur si fjalëpak, e që promovonte vazhdimisht miqësinë me SHBA-në dhe BE-në e NATO-n. Pozita e Presidentit dihej kujt i takonte, ndërsa postin e kryeministrit e merrnin partitë e tjera. Shansin e pati një herë edhe vetë i mandatuari aktual i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, por për shkak të ngritjes së aktakuzës për krime lufte nga Tribunali i Hagës, u detyrua të jepte dorëheqje. Ndikimi i Rugovës ishte shumë i madh në mënyrën e të bërit politikë. Refrenin e tij më vonë filloi ta kopjojë kryetari i mëhershëm i PDK-së, i cili nuk ngurronte t'i bënte edhe homazhe te varri, rivalit, të cilin nuk e mundi asnjëherë në zgjedhje. Në çdo palë zgjedhje, Lidhja Demokratike nuk harronte të "frymëzohej" nga fryma rugoviane. Për të siguruar edhe një trashëgimi familjare në politikë, pasardhësit e Presidentit u përfshinë në listën e kandidatëve dhe natyrshëm, në përpjekjen e parë morën plot vota. Djali i Presidentit Rugova, Uka u bë deputet, por më pas u përfshi në një proces gjyqësor, i akuzuar për krim të organizuar, shitblerje vizash. Pas tij i erdhi radha Teutës, vajzës së liderit historik të LDK-së, e cila herën e parë korri një sukses të madh në zgjedhje. Por, gjatë tërë mandatit nuk mbahet mend për ndonjë gjë të veçantë në Kuvend. Publikut i kujtohet kur e votoi Hashim Thaçin për President, e ky i fundit ia dhuroi një tufë me lule. Në atë kohë, presioni ndaj familjes Rugova, që të votohej Thaçi si President, ishte normal për krerët e Lidhjes Demokratike. Por, sot, kur Haradinaj ia mësyu shtëpisë së Presidentit dhe mori mbështetjen publike të familjes Rugova për zgjedhjen e tij si kryeministër, lidershipi i LDK-së u shqetësua tej mase për këtë presion. Me Kushtetutë, deputetët janë të lirë të votojnë, prandaj duke parë kokëfortësinë dhe kryeneçësinë e partive tona u mbetet të zgjedhurve ta kursejnë Kosovën dhe këtë popull të lodhur nga një krizë e re e panevojshme. 

(Kosova Sot)