Editoriali: Fati i Kosovës në pushtetin e numrave

  • 28 July 2017 - 17:10
 Editoriali: Fati i Kosovës në pushtetin e numrave

Nuk është hera e parë që flitet vetëm për numra, thuajse nuk bëhet fjalë për qenie njerëzore, por për objekte, sende, etj. Gjithnjë kështu ka ndodhur e me gjasë, edhe më 3 gusht, historia do të dëshmojë vazhdimësinë e kësaj tradite numerike. Kështu ndodh, kur në Kuvend, zakonisht zgjidhen numrat dhe jo deputetët, kur forma e nënshtron përmbajtjen dhe zëri i sovranit cenohet që në start. Ende pa u bërë konstituimi i institucioneve të reja, publiku është vërshuar nga të tëra anët prej një fjalori tensionues, shpesh banal, fyes, duke na ribindur se edhe legjislatura e re mund të jetë një episod tjetër negativ për vendin. Zor të dëgjosh ndonjë deputet, që shfaqet konstruktiv dhe zotohet se do të luftojë për demokratizimin e Kuvendit së pari, për transparencë e shtetndërtim.

Shumica, pra, janë të zëshëm se do t'u binden krerëve partiakë, që patjetër Kosova të bllokohet edhe për disa muaj të paktën. Aq larg arrijnë politikanët kosovarë, saqë janë të gatshëm ta çojnë vendin edhe një herë drejt kutive të votimit, vetëm që t'u shkojnë deri në fund inateve të tyre. Një shtet, që udhëhiqet nga ky soj pushtetarësh, të cilët me çdo kusht e duan pushtetin dhe nuk e kursejnë fare qytetarin e Kosovës, për të realizuar interesat e veta të ngushta, kriminale, korruptive, klanore, nepotike, është i destinuar të mos ketë sukses. Kjo është e pafalshme për këtë klasë politike dhe një sinjal tjetër kumbues për shoqërinë tonë, e cila duhet të gjejë forca për të kundërshtuar, qoftë edhe përmes protestave demokratike e paqësore, këtë mënyrë devalvuese të të bërit politikë. Kosova nuk e meriton këtë trajtim që po ua bëjnë këta politikanë të papërmirë- sueshëm qytetarëve tanë. Është moment i fundit për reflektim në partitë parlamentare, që të mos e fusin Republikën në një cikël të ri krize. Mos të harrojmë se një krizë e re do të ishte shumë më e rëndë sesa në vitin 2014!

(Kosova Sot)