Editoriali: Milionat po humbin, "bixhozxhinjtë" e politikës rreziten

  • 29 July 2017 - 17:02
Editoriali: Milionat po humbin,

Si rrjedhojë e moskonstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, Kosova po pëson humbje financiare. Dështimi për të negociuar marrëveshjen e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ia pamundëson qeverisë të shfrytëzojë një kredi 16 milionë euro, por pasojat janë edhe te projektet e tjera. Ndërkohë, në veri janë pezulluar fondet e Bashkimit Evropian, në vlerë tetë milionë euro, pasi organet e pushtetit lokal nuk po e kryejnë punën e tyre sipas ligjit. Dëmet financiare do të shihen me gjasë pas dy javësh edhe në aspektin energjetik. Edhe pse Korporata Energjetike e Kosovës, që prodhon energji elektrike, i ka njoftuar me kohë institucionet përkatëse qendrore dhe lokale, për telashet me shpronësimet e objekteve në zonën e mihjes, asgjë nuk është ndërmarrë dhe tash jemi para një situate kritike. Mbarimi i rezervave të qymyrit paralajmëron ditë të vështira për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Të gjitha këto probleme dhe dështime, por edhe shumë të tjera, janë grumbulluar në kohën kur Kosova është pa Kuvend dhe pa qeveri të re. Ndërkohë, në mungesë të një marrëveshjeje politike, deputetët do të shkojnë javën tjetër në seancën konstituive, për të treguar se janë në gjendje ta bllokojnë shtetin, por jo të japin zgjidhje. Politikanët kosovarë nuk mërziten për milionat që po humbasin, duke e dëmtuar rëndë shtetin, por brengosen vetëm për realizimin e interesave të tyre personale, klanore dhe korruptive. Ata paguhen sa pesëfishi i rrogës mesatare, që merr një qytetar kosovar dhe nuk bëjnë asgjë të hairit, por thjesht zbatojnë direktivat e oligarkëve të partive të tyre. Në mungesë të parlamentit të ri, është shtyrë edhe rishikimi i buxhetit, ndërsa nuk dihet se kur mund të bëhet ky rishikim, që prek sfera të ndryshme, përfshirë edhe zgjedhjet lokale, për të cilat nuk është alokuar buxheti, sepse u harxhuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Me një fjalë, politika aktuale, po na dëshmon edhe një herë se me rëndësi për ta është t'i mbushin xhepat privatë, kurse vaj halli për qytetarët e varfër e të lodhur nga këta pushtetarë të pandreqshëm.

(Kosova Sot)