Editoriali: Politikë e ndotur, pa përjashtim

  • 31 July 2017 - 16:55
Editoriali: Politikë e ndotur, pa përjashtim

Kur je në opozitë, s'ka arsye për të të drejtuar dikush akuza që lidhen me pushtetin, sepse ata që vendosin, e kanë qeverinë në duart e tyre. Sa ishte Lëvizja 'Vetëvendosje' opozitë edhe në nivelin lokal, erdhi një moment, kur qytetarët shpresonin se duke ia dhënë mundësinë për të qeverisur, do të krijohej një model i qeverisjes së mirë, transparente, pa korrupsion. Shansin e patën në kryeqendrën e vendit, por modelin e shumëpritur nuk e krijuan dot. As "luftëtarët" antikorrupsion, të VV-së, nuk i rezistuan dot shijes së pushtetit korruptiv. PDK-ja, me përvojë të gjatë, e konsoliduar në mekanizmat e korrupsionit, në klientelizëm e militantizëm, është hedhur së fundmi në aksion kundër Lëvizjes 'Vetëvendosje', duke nxjerrë fakte konkrete që inkriminojnë Shpend Ahmetin&CO. Kjo është në fakt vetëm maja e aisbergut komunal në Prishtinë, sepse fijet e inkriminimit dyshohet se janë shumë më të thella. Krerët e VV-së akuzojnë shpesh në paraqitjet e tyre publike klanin "Pronto", por shembuj të ndryshëm dëshmojnë se rreth këtij klani vërtiten edhe figura të VV-së. Këtë e kishte pranuar në një fjalim në legjislaturën e kaluar, edhe vetë i nominuari për kryeministër Albin Kurti. Rasti me qeverisjen e Prishtinës është dekurajues për qytetarët, të cilët më kot po shpresojnë se më në fund do të kemi një qeverisje të pastër, në shërbim të publikut. Për t'u bindur se qeverisja në kryeqytet ishte larg banorëve, mjafton të dalësh pak metra përtej ndërtesës së komunës, ku është një "Kandahar" i vërtetë. Si çdo parti tjetër, që vjen në pushtet, as VV-ja nuk ka mundur të bëjë diferencën, edhe pse votuesit i dhanë besim të shtuar në zgjedhjet e 11 qershorit. Në kërkim të një ndryshimi, qytetarët duket se janë të gatshëm, që të paktën, edhe pse janë të vetëdijshëm se të gjithë korruptohen, ua japin shansin edhe atyre që nuk e kanë provuar pushtetin. Por, si përfundim, kur po vijnë në kolltukun e qeverisë, secila parti vihet në shërbim të klaneve dhe grupeve të interesit, duke shkelur interesin publik. 

(Kosova Sot)