Editoriali: Me këtë pushtet, terri na pret gjithnjë

  • 01 August 2017 - 17:01
Editoriali: Me këtë pushtet, terri na pret gjithnjë

Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës ka alarmuar se pas disa ditësh mund të shterojnë rezervat e thëngjillit, e si rrjedhojë vendin mund ta presin ditë të rënda energjetike. Për ta bërë këtë skandal edhe më të madh, krerët e kompanisë publike kanë pohuar se ka një vit që e kanë parashtruar te Qeveria shqetësimin e tyre, që lidhet me nevojën e zgjerimit të mihjes në hapësira që duhet të shpronësohen. Shteti ka dhënë shumë fonde për shpronësimet në zonat ku kalojnë autostradat, por është treguar koprrac dhe i ngathët për shpronësimin e kërkuar nga KEK-ut, që ka të bëjë direkt me prodhimin e energjisë elektrike. Ky është edhe një rast tjetër që tregon se sa keq planifikohen dhe merren vendimet qeveritare, duke e sjellë vendin në një situatë krize. Është qesharake të mendosh se ky popull, që fle mbi thëngjill, "befasisht" të mos ketë mundësi të prodhojë energji të mjaftueshme elektrike. Tashmë KEK-u ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa konkretë për të pezulluar njësitë nga prodhimi, për shkak të mungesës së thëngjillit. Por, a mban dikush përgjegjësi në këtë vend për këto dështime, të cilat janë fare lehtë të evitueshme, nëse do të kishim qeverisje në shërbim të qytetarëve? Në fakt, askush nuk jep llogari për këtë mungesë përgjegjësie, ndërsa secili zyrtar kompetent ia gjuan topin tjetrit, e faji si gjithmonë mbetet jetim. Kosova ka pasur mundësi prej vitesh të ndërtonte kapacitetet e reja energjetike, por falë politikave të dështuara, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Qindra milionë kanë hyrë në blloqet e vjetruara të KEK-ut, që janë edhe ndotësit më të mëdhenj në Kosovë, por problemi i furnizimit me energji elektrike nuk është zgjidhur. Të kesh resurse e të mos dish t'i shfrytë- zosh ato, i ndodh vetëm qeverive kosovare dhe kjo është një turp për politikën që e ka udhëhequr Kosovën gjatë këtyre viteve. 

(Kosova Sot)