Editoriali: Qeverisja duhet të jetë në shërbim të publikut

  • 02 August 2017 - 17:07
Editoriali: Qeverisja duhet të jetë në shërbim të publikut

Në Shqipëri, pas fitores që ia dha "timonin" e shumëkërkuar, lideri socialist Edi Rama po përpiqet të zgjerojë komunikimin me masën, qoftë duke shfrytëzuar edhe rrjetet sociale, për të krijuar një program qeverisës që merr parasysh shqetësimet e qytetarëve dhe pritjet e tyre për çështjet e ndryshme. Duke e bërë më transparente, politikë-bërjen, qeverisja ka gjasa të vihet në shërbim të njerëzve. Ankesat e tyre po u kushtojnë me shkarkime dhe dorëheqje disa zyrtarëve të lartë, drejtorëve etj., të cilët raportohet se kanë abuzuar me detyrën, duke ua shkelur të drejtën qytetarëve. Të marrësh parasysh ankesat e popullit, është gjëja më e mirë që mund të bëjë një qeveri, por kjo mbetet të shihet, pasi të formohet ekzekutivi i ri. Nëse në Shqipëri, të paktën, ka një hapje ndaj publikut dhe një qasje të re premtuese, ndonëse është herët për të qenë shumë entuziastë, në Kosovë, jemi ende në vlugun e debatit për numrat dhe mundësinë ose pamundësinë e formimit të qeverisë së re. Pra, duke qenë disa hapa prapa, është më se e qartë se edhe qeverisja e ardhshme në vendin tonë, do të fokusohet në balancat partiake, përmbushjen e orekseve të klientelave dhe grupeve të interesit, që janë afër pushtetit, ndërsa fare në fund të listës, mund të figurojë diku formalisht, interesi publik. Secila qeveri, që vjen në pushtet, duhet ta ketë parasysh se duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të shndërrohet në sunduese të tyre, siç ka ndodhur deri tani me qeveritë e deritashme. Duke punuar për të mirën publike, secila qeveri mund të fitojë besimin e humbur dhe respektin e munguar, por në të kundërtën, rrezikojmë të hyjmë në një periudhë të re depresioni, si në rastin e vitit 2014, kur pas koalicionit të zhgënjimit PDK-LDK, mijëra njerëz e braktisën Kosovën. Politika duhet të jetë e kujdesshme, që kësaj here, të mos nxisë sërish situata të ngjashme dëshpëruese, por t'ia vërë gishtin kokës e të mendojë edhe për qytetarin kosovar një herë të vetme!

(Kosova Sot)