Editoriali: Seanca e pikëpyetjeve të mëdha

  • 03 August 2017 - 17:09
Editoriali: Seanca e pikëpyetjeve të mëdha

Deputetët e dalë nga vota e 11 qershorit mblidhen sot, në seancën konstituive, për të zgjedhur organet e reja të Kuvendit, kryeparlamentarin dhe kryesinë, por pa një marrëveshje politike. Asnjë subjekt, përfshirë koalicionin fitues, nuk i ka votat e mjaftueshme, pra të paktën 61 të tilla, për të votuar kryetarin e Parlamentit, që do t'i hapte rrugën edhe zgjedhjes së kryeministrit. Refuzuese, të paktën publikisht, koalicioni LAA dhe Lëvizja 'Vetëvendosje', po i fërkojnë duart, duke pritur dështimin eventual të PAN-it, të cilit i duhen të paktën edhe dy deputetë për të arritur minimumin e nevojshëm kushtetues. Deri tani janë të paktën dy deputetë të LAA-së që kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për Qeverinë e PANit, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova, i ka bërë thirrje partisë së saj ta votojë kandidatin e PANit për kryeministër, duke paralajmëruar kështu se vota e saj, përderisa partisë ia kërkon një gjë të tillë, do të shkojë në favor të koalicionit PDK-AAK-NISMA. Një mbështetje të hapur gjithashtu për subjektin e parë në këto zgjedhje e ka shprehur edhe deputeti i AKR-së, që është në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, Labinot Tahiri. Këngëtari i preferuar i ahengjeve, nëse i qëndron fjalës së tij publike, pritet të hedhë një votë për të kandiduarit e PAN-it për kryeparlamentar dhe kryeministër. Gjithsesi, tërë kjo situatë mbetet e paqartë deri në votimin e kryetarit të Kuvendit dhe procedimin e votimit të kryeministrit të ardhshëm. Edhe pse kjo do të ishte një qeveri e brishtë, e varur shumë nga Lista Serbe, Kosova nuk guxon të hyjë sërish në një cikël të ri krize dhe bllokade politike, apo eventualisht të shkojë drejt kutive të votimit sërish, nëse dështon konstituimi i institucioneve. Deputetët kanë mbi supet e tyre një barrë të rëndë, sepse nëse nuk gjejnë zgjidhje, atëherë mandati i tyre e bashkë me të edhe gjithë ato privilegje, të pamerituara në fakt, do të marrin fund menjëherë.

(Kosova Sot)