Editoriali:Kuvendi i turpit dhe zhgënjimit!

  • 04 August 2017 - 17:20
Editoriali:Kuvendi i turpit dhe zhgënjimit!

SKENARI OGURZI

Ajo, që pamë dje në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të quhet as më shumë e as më pak, veç një skenar ogurzi i turpit të kësaj klase politike në Kuvend, e që ka humbur rrugën në oborr. Kjo seancë vulosi përfundimisht atë që dihej tashmë se të gjithë këta politikanë mashtrues nuk e kanë merituar fare votën e qytetarëve, ngase u dëshmua se ata nuk janë zgjedhur për t'u shërbyer interesave të atyre, që i kanë votuar, porse synim parësor kanë vetëm pushtetin, përmes mashtrimeve, për t'u bërë edhe më të pasur sesa që janë. Ajo që ndodhi dje në parlament nuk ishte asgjë më shumë se një cirk, një turp i deputetëve e një zhgënjim i madh i qytetarëve, me skenarë tashmë të njohur, që ata definitivisht i bën jopërfaqësues të këtij populli, por i shndërron në tragjikomikë të tij. Bllokimi i seancës së djeshme, që duhej të ishte ceremoniale, nuk është bërë pa qëllime të caktuara dhe tepër djallëzore të këtyre protagonistëve mashtrues, agresivë e recidivistë, që jemi mësuar t'i shohim përherë të ricikluar në këtë tempull të lartë të demokracisë tepër të lënduar. Këta politikanë të papërmirësueshëm, për interesa private, personale e klienteliste janë në gjendje të bëjnë gjithçka, që shkon në dobi të tyre e në dëm të qytetarëve dhe të shtetit, që kinse përfaqësojnë. Skenari duket i njëjtë si ai i para tre vjetësh, kur për gjashtë muaj rresht, Republika jonë e re mbeti pa institucione, që thelluan ngërçin politik dhe që larguan rreth 200 mijë qytetarë me fëmijë e strajca krahëve jashtë vendit, në ditë të acarta, nëpër shi e borë. Soji i këtyre politikanëve të papërgjegjshëm definitivisht ua ka bërë jetën ferr qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë të pangrënë e të pashpresë dhe vetëm mendojnë se si një ditë të largohen nga vendi. Nuk shohin perspektivë këtu. Skenat e tilla tragjikomike në Kuvendin e ri të Kosovës, ka gjasa të ndodhin edhe sot edhe ditëve të tjera, gjersa të kalojnë muajt e të ofrohen zgjedhjet lokale, kur mendja djallëzore e këtyre "përfaqësuesve të popullit", si duket, ka si qëllim të hyjë në zgjedhje të reja. Fakti pse në zgjedhjet e 11 qershorit nga buxheti i Kosovës shkuan kot mbi 6 milionë euro, nuk e çan kokën askush. Kuvendi i ri i Kosovës nuk mund të quhet ndryshe, pos si një Kuvend i turpit, që dje sërish zhgënjeu qytetarët, dhe ata që janë aty nuk mund të jenë përfaqësues të popullit, përderisa mendjen e kanë gjetkë, dhe shumë larg shqetësimeve e interesave të shtetit e qytetarëve, që kinse përfaqësojnë.
 

(Kosova Sot)