Editoriali: "Politikanët e bënë tërkuzë punën e shtetit "

  • 05 August 2017 - 17:22
Editoriali:

As dita e dytë e mbajtjes së seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka prodhuar një zgjidhje, veçse e ka thelluar atë. Sjellja e politikës kosovare është e ngjashme me atë para tre vjetësh, kur Kosova u fut në ngërçin e njohur 6-mujor. Koalicion PAN, që si duket nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë, përpiqet ta bllokojë punën e Kuvendit me pretekstin se ai e ka të drejtën të formojë institucionet e reja, sipas një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese më 2014. As blloku tjetër opozitar nuk lëshon pe, duke kërkuar nga koalicion PAN që të tërhiqet nëse nuk është në gjendje ta ketë shumicën parlamentare. Gjykata Kushtetuese me interpretimin e saj dhe politikanët e papërgjegjshëm janë duke e bërë tërkuzë punën nga ambiciet e tyre të sëmura për pushtet. Ngjashëm si para tre vjetësh, politikanët janë barrikaduar dhe nuk lëvizin nga pozicionet e tyre, duke u lidhur më shumë për interesat e tyre të ngushta, pa e çarë kokën për shtetin. Zgjidhje në këtë lëmsh të krijuar ka sa të duash. Nëse nuk janë në gjendje të gjejnë konsensus për çështjet madhore, se kush duhet të lëshojë pe në këtë mesele, atëherë mund të krijohet një qeveri teknike, e përbërë nga teknokratë të këtij vendi, për një periudhë kalimtare. Dhe, brenda kësaj periudhe mund të arrihej pajtimi për ta bërë dekriminalizimin e skenës politike e institucionale, të reformojnë drejtësinë sipas modelit të Vettingut në Shqipëri, të bëjnë një reformë të thellë zgjedhore e kushtuese, që më Kosova të mos prodhojë kriza të tilla. Kjo është plotësisht e mundshme po qe se politikanët e Kosovës nxjerrin interesat e vendit dhe të qytetarëve mbi interesat e tyre personale e klienteliste. Kështu siç po shihet nuk ka një zgjidhje, pos të shkohet në zgjedhje të reja në tetor të këtij viti, kur edhe mbahen zgjedhjet lokale. Por, as kjo nuk është zgjidhje e dëshiruar, sepse prapë mund të na përsëritet situata e njëjtë. Lini mënjanë inatet, mëritë e interesat dhe gjeni zgjidhje në favor të qytetarëve.

(Kosova Sot)