Editoriali: Politika e inkriminuar ka frikë nga dekriminalizimi!

  • 07 August 2017 - 17:10
Editoriali: Politika e inkriminuar ka frikë nga dekriminalizimi!

Ka vite që bëhet presion mediatik, kryesisht nga gazeta "Kosova Sot", për bërjen e Ligjit të dekriminalizimit, që do të pastronte në radhë të parë politikën e pastaj edhe institucionet e shtetit, por aktorët e skenës politike kosovare nuk kanë lëvizur asnjë milimetër në këtë drejtim. Asnjë nga partitë politike në Kosovë, qofshin të mëdha apo të vogla, në pushtet apo në opozitë, nuk e ka marrë asnjëherë me seriozitet çështjen e pastrimit të politikës nga të inkriminuarit, të korruptuarit dhe ata që e degraduan Kosovën me zhvatje, që nga paslufta, e sidomos pas pavarësisë. Politikanët e Kosovës, të rreshtuar nëpër parti politike, krejt çka dinë të bëjnë është të mos bëjnë asgjë të mirë për vendin dhe qytetarët. Si rezultat, zgjedhjet e 11 qershorit, ashtu siç edhe pritej, nuk prodhuan ndonjë risi, përveç rënies drastike të PDK-së në vota dhe ngritjes së pashpjegueshme të VV-së. Me përjashtime, pothuajse të njëjtit njerëz gjenden sërish në Kuvendin e Kosovës, ku na riciklohen figura, të cilat janë përgjegjëse për degradimin dhe shkatërrimin në themel të Republikës sonë. Bllokada, të cilën po e përjetojnë sot kosovarët mbi supet e tyre, është edhe si rezultat i kësaj skene politike që është ndërtuar jo mbi bazën e një konkurrence të fortë dhe të ndershme, me ligje e rregulla të shkruara, por mbi bazën e klaneve, klientelave dhe grupeve të interesit. Pothuajse pa përjashtim, janë të njëjtat parti që ushqehen me para nga të njëjtat biznese oligarkike, të cilat dinë se si t'ua lagin fytin liderëve politikë dhe vartësve të tyre, e pastaj i shumëfishojnë paratë përmes tenderomanisë, monopoleve dhe formave të tjera të paligjshmërisë. Një dekriminalizim i kësaj politike kosovare është më i domosdoshëm se kurrë dhe një nevojë urgjente për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendimmarrja serioze të nisë nga partitë politike. Nëse në parti bëhen zgjedhje farsë, përmes klientelave dhe interesave të nëntokës, atëherë të njëjtën metodë të vendimmarrjes e kemi edhe nëpër institucionet tona të shtetit. Për sa kohë nuk do të kemi dekriminalizim të politikës, për aq kohë nuk do të kemi as zgjedhje të lira, të drejta dhe kuptimplote, dhe nuk do të kemi pushtet legjitim. Mbi 50 mijë vota të pavlefshme "rebeluese" ndaj partive të inkriminuara janë jo vetëm një sinjal, por një refuzim serioz ndaj kësaj klase politike të kriminalizuar.

(Kosova Sot)