Editoriali: Politikanët, fatkeqësia e popullit

  • 08 August 2017 - 17:08
Editoriali: Politikanët, fatkeqësia e popullit

Ende pa ardhur dita e mërkurë, që ishte lënë për konsultime mes partive politike për caktimin e seancës së radhës së Kuvendit të ri të Kosovës, në mënyrë që të zgjidhet kryeparlamentari, kryesuesi i Kuvendit, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, ka thirrur seancën ditën e enjte. Aktori i njohur Mikullovci, që provon sërish pozitën e deputetit, mbase edhe nuk është në gjendje të bëjë skenarë e lojëra të tilla për të ngritur temperaturat politike, sikur të mos ishte i dirigjuar nga krerët e "Vetëvendosje". Republika e Kosovës ka mbetur pa zot shtëpie. Presidenti i Kosovës nuk është një figurë unifikuese, që mund të ndërhyjë në këtë proces, por edhe sikur të ndërhynte ai nuk do të mund ta zgjidhte gjë. Atë nuk e përfill një pjesë e madhe e kësaj politike, për shkak të makinacioneve të shumta që ka bërë dhe dëmeve që i ka sjellë shtetit, dhe kjo është provuar me ftesat që u ka dërguar partive politike për zgjidhjen e krizës. Politika kosovare nuk është në gjendje të zgjidhë kriza, pos t'i prodhojë ato. Kjo u dëshmua me ngërçin politik të para tri viteve dhe këtë të tashmin dhe disa të tjera, por që janë tejkaluar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Këta politikanë janë bërë fatkeqësia e këtij populli, që nuk e lë të marrë frymë dhe është bërë pengesë e madhe për perspektivën e tij. Republika jonë ka mjaft burra e gra, vajza e djem të shkolluar, madje edhe në Perëndim, që janë patriotët e vërtetë të këtij vendi, por të cilët rrinë e nuk bëjnë zë. Ata duhet t'i dalin zot vendit që të bëjnë alternativa të tjera politike, që t'i dërgojnë këta politikanë në pension. Politikanët aktualë të Kosovës, që zhvatën shtetin deri në palcë, kriminalizuan vendin dhe i dhanë imazh të keq në botë, i kanë lodhur e stërlodhur qytetarët, madje edhe ua kanë gërditur politikën. Çka është mjaft, është mjaft. 

(Kosova Sot)