Editoriali: Kur krimi bën kërdinë, e qytetarët vuajnë mungesën e shtetit ligjor!

  • 09 August 2017 - 17:26
Editoriali: Kur krimi bën kërdinë, e qytetarët vuajnë mungesën e shtetit ligjor!

Ta mbushësh veturën me naftë apo benzinë me ujë, të marrësh më pak litra sesa paguan, kjo nuk është ndonjë risi në Republikën tonë të re. Ajo u ndodh çdo ditë qytetarëve, të cilëve u shkallmohen e shkatërrohen veturat nga derivatet me cilësi të dyshimtë. Shume vijnë nga Rusia përmes Serbisë, edhe pse zyrtarisht Kosova i është bashkangjitur vendeve perëndimore që u ka vënë embargo mallrave ruse, por ja që mekanizmat e shtetit nuk funksionojnë si duhet. Të tjerat vijnë nga rrugët kontrabandë në veriun e Kosovës, por as ato që vijnë nga Shqipëria e Maqedonia nuk është se dallojnë shumë për nga cilësia. Kjo ndodh në këtë vend, sepse shteti në fakt nuk kontrollon cilësinë e derivateve të naftës. Kompanitë e mëdha të derivateve të naftës e bëjnë këtë, sepse janë në shërbim dhe ortakëri të pushtetit të inkriminuar dhe jo të konsumatorëve, ngase ky i fundit iu duhet vetëm për ta zhvatur e për ta plaçkitur deri në palcë. Nga cilësia e dobët e derivateve të naftës pësojnë qytetarët-konsumatorë, pësojnë bizneset,fabrikat e punë- toritë, të cilat detyrohen të riparojnë makinat e tyre të lehta e të rënda, pëson buxheti i varfër i Republikës sonë, që nuk është në gjendje të arkëtojë më shumë taksa nga këto derivate, për shkak se shumica e kompanive që shesin derivate akoma nuk i kanë vendosur arkat fiskale, por edhe ato që i kanë vendosur nuk lëshojnë kuponë fiskalë. Shtrohet pyetja, në çfarë shteti ne po jetojmë? Në një shtet që nuk jemi as afër Maqedonisë, e cila i ka derivatet shumë më të lira se të Kosovës dhe, përveç kësaj, edhe shumëfish më cilësore se ato që u servohen qytetarëve tanë. Jetojmë në një shtet ku qytetari dhe jeta e tij është pak e rëndë- sishme dhe më e rëndësishme është pasurimi i pushtetarëve, politikanëve dhe mafiobizneseve të tyre, që kanë krijuar monopol nga zhvatja e plaçkitja e qytetarëve. Pushtetet ndërrohen, bie njëra parti e hip tjetra, por vendosja e rregullit dhe rendit në interes të qytetarëve nuk po ndodh kurrë për gati 20 vjet. Me këtë klasë politike, qoftë pozitë apo opozitë, nuk do të ketë sundim të fortë të ligjit, nuk do të ketë cilësi në arsim dhe as në shëndetësi, ekonomi e mirëqenie për qytetarin. Ikja në theqafje e kësaj politike të inkriminuar do të jetë një ngushëllim dhe çlirim për qytetarët.

(Kosova Sot)