Editoriali: Bllokada politike, shkatërruese për ekonominë

  • 10 August 2017 - 17:23
Editoriali: Bllokada politike, shkatërruese për ekonominë

Bllokada e serishme institucionale, së cilës nuk po i shihet fundi, do të jetë shkatërruese për ekonominë. Cili investitor me mend në kokë do të vinte për të derdhur kapitalin e tij në Kosovë kur politikanët tanë krijojnë situata të konfliktit politik dhe nuk janë në gjendje të formojnë institucionet e reja? Efektet e kësaj krize politike do t'i ndiejë më së shumti ekonomia jonë. Shteti mbahet në këmbë ende nga remitancat që vijnë nga bashkatdhetarët tanë, të cilët jo vetëm që i mbajnë familjet, por ushqejnë edhe bizneset me paratë që sjellin këtu, sidomos gjatë verës. Po të mos ishte diaspora jonë, Kosova qëmoti do të ishte në kolaps të plotë ekonomik. Bashkatdhetarët tanë, që gjenden në Kosovë për pushime, sa herë që vijnë marrin "ethet" e kësaj politike që prodhon vazhdimisht kriza. Temperaturave të larta të këtyre ditëve u shtohen edhe temperaturat ekstreme në politikën kosovare, ku politikanët e papërgjegjshëm zihen për kolltuk dhe përfitime. Nuk e kanë hallin e qytetarit që i ka votuar ata. Politikanët tanë janë bërë gazi i botës me paaftësinë e tyre për t'i zgjidhur problemet, por po i japin një imazh tejet të keq shtetit tonë të ri. Jo vetëm investitorët e huaj, që nuk marrin mundin të investojnë në një vend si Kosova, por edhe ata pak investitorë seriozë të Republikës sonë i kanë rrokur apatia, pesimizmi e depresioni dhe me hamendjen e madhe shtrojnë pyetjen se a ia vlen të investohet në këtë vend, me këtë klimë politike aspak të favorshme për të bërë biznes. Diaspora jonë do të vazhdojë të sjellë para në Kosovë, por shumica e parave shkojnë për konsum. Edhe ata bashkatdhetarë që kanë dashur të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre nga perëndimi në Kosovë janë ballafaquar me kërkesa për zhvatje e haraç, janë kthyer prapa nga kanë ardhur. Politikanët e këtij vendi nuk janë të vetëdijshëm për dëmet e pariparueshme që janë duke i sjellë vendit dhe ikja e tyre do të ishte shpëtim për popullin.

(Kosova Sot)