Editoriali: Politika e do mjegullën në drejtësi!

  • 11 August 2017 - 17:19
Editoriali: Politika e do mjegullën në drejtësi!

Republika e Kosovës ndodhet në udhëkryq sa nga politikanët e papërgjegjshëm, aq edhe nga drejtësia e kalbur dhe e pareformuar. Matrapazët dhe të inkriminuarit e politikës nuk duan një prokurori të pavarur dhe një gjyqësor që ndan drejtësi sipas ligjit, por një drejtësi të kapur nga ana e tyre. Sot, Kosova po vendnumëron si pasojë e kësaj drejtësie, e cila nuk është e aftë, as e guximshme për t'ia shkulur rrënjët e krimit dhe të korrupsionit dhe për ta vënë shtetin në binarë normalë ligjorë. Kjo drejtësi sado që ka thithur qindra miliona euro donacione të jashtme për ndërtim kapacitetesh, ka mbetur tepër prapa në shumë segmente. Në rajonin tonë, megjithatë në fushën e drejtësisë është lëvizur diçka, diku më shumë e diku më pak, por në Kosovë asgjë e mirë nuk ka ndodhur. Të marrim shembull Shqipërinë, ku kohëve të fundit janë ndërmarrë hapa revolucionarë nga politika për ta reformuar drejtësinë, përmes një procesi ligjor të "Vettingut" apo vetë- pastrimit ligjor, që fut në sitë të gjithë gjyqtarët e prokurorët dhe ata që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e bërë vetvetiu përjashtohen nga sistemi aktual. Prokurorët e gjyqtarët në Kosovë nuk janë më pak të pasur se kolegët e tyre në Shqipëri, porse politikës në Kosovë nuk po i konvenon për të pastruar drejtësinë nga të korruptuarit e tyre, sipas modelit të Shqipërisë. Drejtësia në Kosovë vepron përmes sekserëve dhe interferimeve nga politika, ku të gjithë së bashku, prokurorë, gjyqtarë, avokatë e politikanë pasurohen nga format e paligjshme kriminale. Bllokada politike ka lënë anash të gjitha problemet në Kosovë e me këtë edhe drejtësinë dhe duket se pa një presion të fortë të ndërkombëtareve si në Shqipëri, politika nuk do të dëshironte të kishte reforma rrënjësore në drejtësi. Ajo duhet ta rrisë presionin së pari te pozita e nesërme, por njëkohësisht edhe te opozita për të pasur një konsensus të zorit për t'i bërë reformat dhe për ta pastruar gjyqësorin nga të korruptuarit. Nëse ndërkombë- tarët nuk do të bëjnë zë, as politika nuk do të lëvizë nga vendi në këtë drejtim. Kësaj skene politike po i konvenon kaosi aktual në drejtësi për të shpëtuar lëkurën e vet.

(Kosova Sot)