Editoriali: Mahmutovitët dhe Rexhepovitët

  • 15 August 2017 - 17:20
Editoriali: Mahmutovitët dhe Rexhepovitët

Ky është titulli i serisë së njohur humoristike, që të vjen ndërmend kur sheh episodet e njëpasnjëshme të seancës konstitutive të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Udhëheqja e saj nga deputeti më i vjetër, një aktor i vjetër humori, personazh i serive komike, është shndërruar tashmë në objekt polemikash pa fund, kritika në një anë, e mbështetje në anën tjetër. Por, zgjidhje deri tash nuk ka. Simbolikisht, drejtimi i seancës, ku konstituohen institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare, i takon deputetit më të vjetër, por është ironike të mendohet se parlamentari, që qëllon të jetë më i moshuari, ta ketë në dorën e tij çelësin për zgjidhjen e krizës. Formalisht, ai duhet të procedojë, por janë partitë kryesore që kanë përgjegjësinë për bllokadën eventuale dhe duhet të japin alternativat dalëse. Në mënyrë që mbledhjet e Kuvendit të ri të mos shndërrohen në dromca humoristike, ku deputetët po shfryjnë njëkohësisht arsenalin e tyre akuzues, fyes, poshtërues, elektoral, kjo praktikë e vazhdimit të seancës pa marrëveshje politike duhet të marrë fund. Populli i Kosovës nuk ka nevojë për të parë çdo javë spektakle të kota parlamentare, por subjektet e përfaqësuara të ndjekin procedurat ligjore dhe kushtetuese, të arrijnë marrëveshje politike, për të zhbllokuar situatën. Retorika e deritashme është e rrezikshme, sepse jo vetëm që nuk po sjell në dritë ndonjë zgjidhje të dobishme, por po u fryn edhe më tepër tensioneve politike. Parlamentarët e dinë fare mirë se Gjykata Kushtetuese ekskluzivisht të drejtën e propozimit të kryeparlamentarit ia ka lënë partisë apo koalicionit të parë në zgjedhje, kështu që nëse nuk është PAN-i në seancë ka vetëm dështim. Politikanët duhet të mbushen mend dhe pasi të konstituohen institucionet, të bëjnë qartësimet e nevojshme në Kushtetutë, në mënyrë që askush të mos mund ta mbajë peng shtetin, të ketë afate konkrete dhe të funksionalizohet demokracia parlamentare. Përndryshe, nëse vazhdohet kështu, kjo do të jetë edhe një seri e re, dëshpëruese për qytetarët që e votuan këtë Parlament, me gjasë, fare pak përfaqësues të interesit publik.

(Kosova Sot)