Editoriali: Tre "musketierët" e Kuvendit

  • 16 August 2017 - 17:08
Editoriali: Tre

PAN-i, VV-ja, LAA-ja, janë tri grupacionet politike, të cilat po e mbajnë peng konstituimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Nga i pari tek i treti, që të gjithë pretendojnë se kanë të drejtë në synimet e tyre, por bllokada e Kuvendit është e pajustifikueshme dhe përgjegjësia, sipas fuqisë politike, bie mbi këto subjekte, që janë votuar nga qytetarët për t'ua përfaqësuar interesat në legjislativin kosovar. Në vend që të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje, tri blloqet politike po ia tregojnë muskujt njëri-tjetrit, por jo edhe rrugëdaljen nga kriza. Fryma përçarëse po shihet gjithandej. LAA-ja ka ftuar një tryezë, por ka injoruar PAN-in. Koalicioni i parë në zgjedhjet e 11 qershorit ka bojkotuar seancën, në pritje të arritjes së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe hapjen e rrugës për qeverinë e re. Në anën tjetër, kësaj situate të paqartë po i kontribuon edhe Lëvizja "Vetëvendosje", e cila duket se nuk do të marrë pjesë, sipas njoftimeve, në takimin e ftuar nga kryesuesi i seancës për këtë të mërkurë. Duke refuzuar dialogun, ka fare pak gjasa të gjendet një alternativë dalëse e shpejtë dhe, si duket, ndërkombëtarët do të aktivizohen për ta shtuar presionin ndaj politikanëve kryeneçë të Kosovës. Kjo luftë politike i ngjan më shumë një beteje gjelash sesa një përplasje idesh e konceptesh, që merr parasysh pikësëpari interesin e popullit. Partitë parlamentare janë pa ide dhe pa vizion se si të procedohet më tutje dhe kjo e bën edhe më të rrezikshme situatën politike. Pasojat e një zvarritjeje eventuale të formimit të institucioneve të reja mund të jenë dramatike, ndërsa ekonomia mund të pësojë një goditje të re. "Musketierët" e Kuvendit është mirë t'i lënë shpatat mënjanë, të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një kompromis. Të gjithë duhet të lëshojnë pe nga pak, që të ketë një marrëveshje, sepse përndryshe bllokada do të vazhdojë edhe për muaj të tjerë.

(Kosova Sot)