Editoriali: Ç'na duhet më UNMIK-u?!

  • 17 August 2017 - 17:13
Editoriali: Ç'na duhet më UNMIK-u?!

Seancat e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku diskutohet për Kosovën, janë bërë të mërzitshme dhe të padobishme, ku vetëm po ripërsëriten fjalimet e njëjta. Edhe pse është ende në fuqi Rezoluta 1244 e OKB-së për Kosovën, realiteti juridik, politik, shoqëror, ka ndryshuar tërësisht dhe Këshilli i Sigurimit do të duhej ta shfuqizonte Rezolutën e nxjerrë në vitin 1999. Nga ana tjetër, Kosova, si një shtet që ka hyrë në vitin e dhjetë të shtetësisë, pavarësisht telasheve të brendshme politike, nuk është më një vatër krize. OKB-ja do të duhej që fondet e ndara për UNMIK-un e reduktuar tashmë t'i ndante për rajone krizash nëpër botë, duke u ndihmuar atyre që kanë nevojë. Është krejtësisht anakronik dhe i parëndësishëm tashmë ky mision i mbetur i UNMIK-ut në vendin tonë, në kohën kur i kemi institucionet tona. Nëse do të ishte duke kontribuuar diçka, atëherë do të justifikohej vazhdimësia e prezencës së misionit të OKB-së, por, në fakt, çdo ditë më shumë është humbje kohe dhe parash. Nëse vërtet OKB-ja dëshiron ta ndihmojë Kosovën, atëherë do të duhej ta pranonte si anëtaren më të re, duke hequr kështu pengesat që po i bëhen Republikës sonë në rrafshin ndërkombëtar. Seancat tremujore të Këshillit të Sigurimit, ku shefi i UNMIKut raporton për shtetin, që tashmë edhe publikisht nuk e dëshiron më, po keqpërdoren nga zyrtarët e lartë të Serbisë. Mjafton të kujtojmë këtu retorikën nacionaliste të Daçiqit, sulmet që ai ia bën shtetit të Kosovës dhe ikjen nga përgjegjësia për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga Serbia. Ky shtet asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet monstruoze që bëri në vendin tonë, që do të ishte një hap i rëndë- sishëm drejt pajtimit. Është e qartë se pa normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, Kosova do ta ketë të vështirë të hapë derën e OKB-së, por kjo nuk do të thotë se pafundësisht duhet të dëgjojmë paçavuret e Daçiqit në Këshillin e Sigurimit.

(Kosova Sot)