Editoriali: Të qërosh hesapet në kohë krize

  • 19 August 2017 - 17:05
Editoriali: Të qërosh hesapet në kohë krize

Partitë kosovare të përfaqësuara në Parlament kanë vendosur sërish ta mundojnë shoqërinë kosovare me bajraktarizmin e tyre, politikën e inateve dhe mungesën e parimeve. Dy tablo i kemi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Koalicioni PAN bëri bashkë ata që shfaqeshin si rivalë, kritikë, akuzues ndaj njëri-tjetrit dhe për këtë arsye edhe votuesi nuk ua përmbushi objektivin e numrave, në kërkim të të cilëve duket se janë ende. Ndërsa, në anën tjetër kishim koalicionin tjetër LAA, ku sërish pamë bashkë figura që akuzonin, fyenin njëritjetrin, por gjetën kurajën për t'u bërë bashkë, për ta hedhur tej krahëve të kaluarën. Pas zgjedhjeve, rezultati ka imponuar koalicione të reja dhe vëmendja e publikut është e fokusuar te bisedimet mes LDK-së dhe VV-së. Pas shfaqjes së një gatishmërie të partisë së Isa Mustafës për të bashkëpunuar me subjektin e Albin Kurtit, gjërat duket se kanë ndryshuar. Kryeministri në detyrë kërkon llogari për dosjet që VV-ja ia ka dorëzuar në Prokurori, ndërsa edhe pushtetarët e Prishtinës mund të përballen me akuza për administrimin korruptiv dhe klientelist të kryeqytetit. Politikanët tanë janë pa parime dhe pa vlera. Ata një herë gjuajnë me gurë dhe gaz lotsjellës, pastaj duan të hyjnë bashkë në një Qeveri. Pushteti i bashkon të gjithë, pavarësisht fjalorit dhe aksionit politik që kanë ndërmarrë kundër njëritjetrit. Qërimi i hesapeve në këto rrethana krize po e shfaq edhe një dimension tjetër të politikës, që zakonisht ka qenë më i fshehtë-pazaret e prapaskenës, përfitimet e fshehta e të inkriminuara, koncesionet e ndryshme të kundërligjshme dhe kriminale. Dikush synon të përfitojë një vendim gjykate të trafikuar e të pamerituar me ligj, një tjetër synon një tender shumëmilionësh, të tjerë mjaftohen me ndonjë pozitë të preferuar që sjell përfitime nga korruptimi, etj. Sidoqoftë, çka është thënë, nuk mund të zhbëhet tashmë, por secili lider, secili politikan, duhet të ballafaqohet me realitetin e hidhur. Më mirë është të pranosh se ke qenë gabim sesa të bësh një gabim tjetër. Por, kjo klasë politike është mësuar kështu dhe për sa kohë marrin vota nga elektorati i mashtruar nuk do të ndalen së talluri me këtë popull.

(Kosova Sot)