Editoriali: Momenti i fundit për kujdesin ndaj popullit!

  • 21 August 2017 - 17:12
Editoriali: Momenti i fundit për kujdesin ndaj popullit!

Në pritje të konstituimit të institucioneve, partitë kanë ashpërsuar gjuhën e tyre ndaj njëra-tjetrës, duke u përpjekur që t'ia faturojnë dështimet e deritashme rivalëve, pa pranuar për vete as edhe një gabim. Politikanë të ndryshëm dhe subjekte parlamentare, të provuara e të stërkonsumuara edhe në pushtetet e kriminalizuara, po e drejtojnë gishtin te të gjithë, përveç vetes, në lidhje me keqqeverisjet e kaluara e të inkriminuara. Një gjë duhet ta kenë të qartë, se të gjitha grupet që ishin dhe tani janë në Kuvend dhe udhëheqësit e tyre bashkërisht mbajnë përgjegjësi për degradimin e shtetësisë dhe institucioneve të shtetit në këtë shkallë tepër të degraduar e alarmante. Pse kur ishit në qeveri së bashku nuk u ankuat kurrë, nuk e shatë asnjëherë njëri-tjetrin, nuk përmendet asnjë aferë korruptive, emërim nepotik, shkelje të inkriminuara, por flirtuat për hir të interesave personale?! Tash është vonë për t'u besuar. Bile, as kërkimfalja, e cila nuk gjendet në fjalorin politik të këtyre partive, nuk do të ishte më fare e besueshme. Duke qenë fajtorë, kush më shumë e kush më pak, subjektet kosovare të vetmen rrugëdalje e kanë të korrigjojnë vetveten, të hapen për publikun dhe të mos krijojnë kriza artificiale për hir të disa interesave të ngushta klanore, tepër kriminale, korruptive. Kosova është tepër e lodhur që të durojë sërish zvarritje dhe kriza, pasi është munduar e nëpërkëmbur së tepërmi nga të gjitha partitë, e sidomos që nga shpallja e pavarësisë. Shpresat janë të pakta se me këtë gjeneratë politike mund të ketë diçka më mirë, por megjithatë presioni publik do të duhej shtuar ndaj bartësve të pushtetit, ndaj atyre që do ta formojnë qeverinë e re, në mënyrë që të shtohen e shumëfishohen llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria, që të ketë adresim të përgjegjësisë për veprimet e inkriminuara të pushtetarëve. Është momenti i fundit për të vepruar pozitivisht, në mënyrë që njerëzit të mos dekurajohen si në fundvitin 2014, kur prapaskenat kriminale të politikës e dëshpëruan masivisht popullin. E rrugë tjetër nuk mbeti, përveçse t'ia mësyjnë rrugëve të vështira të emigracionit. Pra, politikanët duhet t'i vënë gishtin kokës, sepse nesër ose shumë shpejt mund të përballen edhe me mllefin e popullit, që nuk e kanë menduar ndonjëherë.

(Kosova Sot)