Editoriali: Politika e pazareve të inkriminuara

  • 22 August 2017 - 17:15
Editoriali: Politika e pazareve të inkriminuara

Lëvizja e pritshme e AKR-së drejt PAN-it tregon se sa e paskrupullt është skena politike në Kosovë. Fati i Qeverisë, tani është në dorën e tre-katër deputetëve, të cilët, në rast të një garimi si subjekt i vetëm, sigurisht se nuk do të ishin në ulëset e Kuvendit. Një parti, që nuk e kalon dot vetëm pragun, tash e ka në dorë konstituimin e institucioneve. Më kot kanë votuar njerëzit kundër dy partive të mëdha, kundër mashtruesve dhe të korruptuarve. Kjo është logjika e funksionimit të demokracisë së brishtë kosovare, ku vullneti i shumicës, edhe nëse është për ndryshim, nuk përfillet asnjëherë. Kështu ndodhi në vitin 2014, kur shumica votoi që ta linte PDK-në në opozitë, por kjo e fundit, në saje të kapjes së egër të shtetit, ia doli të katapultohej sërish në pozitat kryesore e ta thellonte degradimin. Ngjashëm po ndodh edhe sot, kur i njëjti subjekt, edhe pse mban përgjegjësinë kryesore për shumë dështime, skandale, keqpërdorime, falë një politike të shkapërderdhur, interesxhie, mund t'ia dalë të vegjetojë prapë në pushtet. Paterica kësaj radhe është se rikthehet partia e Behgjet Pacollit. "Trepça", "Grandi" e plot biznese të tjera mund të lulëzojnë për interesat private të liderit kontrovers, i cili edhe kur e shijoi Qeverinë, më tepër zhvilloi takime për kompanitë e tij sesa përfaqësoi interesin shtetëror. Sekserët sigurisht kanë hisen e tyre, mbështetësit në Kuvend gjithashtu, partia hesapin e vet, e kështu me radhë, klanet, kompanitë, etj. Këto pazare në prapaskenë po e njollosin formimin eventual të Qeverisë dhe nëse nuk ka një transparencë të çdo veprimi, për t'iu shmangur konfliktit të interesit, dyshimet do të bëhen edhe më të forta. Në rrethana normale, drejtësia do të duhej t'i kishte sytë katër, për të mos lejuar që negociatat e fshehta politike të shndërrohen në kompromise me pasoja ekonomike, buxhetore, penale, kriminale , etj. Politika e pazareve të inkriminuara, fatkeqësisht, vështirë se mund të prodhojë Qeveri stabile, të shpresës dhe të zhvillimit.

(Kosova Sot)