Editorial: Plaga e hapur - Editoriali - Kosova Sot
Editorial: Plaga e hapur

Editorial: Plaga e hapur

18 vjet pas luftës, shumë familje që kanë humbur më të dashurit e tyre ende nuk kanë asnjë informacion për ta. Rreth 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Serbia edhe më tutje nuk e zbardh të vërtetën për të pagjeturit, edhe pse ata i kanë informacionet, por edhe institucionet tona nuk janë përkushtuar sa duhet për të hedhur dritë në këtë çështje. Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, në Prishtinë para përmendores, që është afër Kuvendit të Kosovës, janë vendosur lule në nder të personave të zhdukur, por përveç përkujtimit dhe ndërtimit asgjë tjetër nuk është risi. Kuvendi dhe Qeveria kanë dështuar që ta shtyjnë përpara këtë çështje, ndërsa kanë humbur kohë kot me akuza e kundërakuza, për konsum të brendshëm politik. Në vitin 2011, delegacioni i Kosovës në dialogun teknik në Bruksel pati iniciuar çështjen e të pagjeturve, si temë në kuadër të dialogut, por e cila nuk ishte vendosur si temë në tavolinën e diskutimeve. Sot e asaj dite, asgjë nuk është biseduar. Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë takohen në mëngjesin e sotëm në Bruksel, megjithatë nuk ka asnjë zotim apo garanci se do të bisedohet edhe për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Edhe pse është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit, bazuar në historikun e deritashëm të procesit, nuk mund të jemi shumë entuziastë se do të ketë rezultate. Autoritetet kosovare do të duhej që ta kushtëzonin fazën e fundit tashmë të dialogut, me diskutimin e kësaj teme. Fati i të zhdukurve është një plagë e freskët për Kosovën dhe Beogradi herë- dokur do të duhej të përgjigjej, por që të ndodhë kjo Prishtina zyrtare duhet të punojë më shumë dhe të jetë më këmbëngulëse.

(Kosova Sot)

12 orë e 50 minuta më parë