Editoriali: Një tabut për demokracinë kosovare

  • 06 September 2017 - 17:28
Editoriali: Një tabut për demokracinë kosovare

Kur Agim Bahtiri përbetohej se "do të hynte në tabut, e nuk do të bënte partia e tij koalicion me PAN-in", shumëkush nuk e merrte edhe aq seriozisht. Dihej se AKR-ja, që dështoi në zgjedhjet e kaluara, duke mos e kaluar pragun elektoral, kësaj here e kishte gjetur formulën drejt rikthimit në pushtet. Pak rëndësi kishte nëse një autobus elektorat i shkonin pas biznesmenit kontrovers Behgjet Pacolli. LDK-ja e ngjalli këtë subjekt politikisht, ndërsa ky i fundit ia dha shpejt lamtumirën, duke negociuar formimin e qeverisë me koalicionin PAN. Në rezidencën e kreut të AKR-së, në Hajvali, u nënshkrua jo thjesht një marrëveshje për të qeverisur, por edhe një goditje e rëndë për demokracinë tonë të brishtë. "Këtë e bëmë për qytetarët", ishte emëruesi i përbashkët e fjalëve të pakta, pas aktit të rëndë, që me siguri do të lërë pasoja afatgjata në mbarëvajtjen e institucioneve. Këtu nuk është fjala për fuqizimin e AKR-së, sepse nga përvoja e qeverisjes së parë me PDK-në, dihet se de fakto edhe dikasteret e AKR-së kontrolloheshin nga njerëzit e PDK-së, sidomos nga ata të nëntokës. Ngjashëm mund të jetë edhe shembulli i ri. Qytetarët kosovarë votuan për përfaqësuesit e tyre dhe nëse e marrin proporcionalisht me numrin e deputetëve, më së shumti pushtet ekzekutiv do të ketë AKR-ja, e cila nesër mund të mbesë me dy deputetë në Kuvend. Pazari i shtrenjtë i Pacollit dëshmon edhe një herë se qëllimi i vërtetë i politikanëve kosovarë është mbetja me çdo kusht në pushtet, realizimi i ambicieve personale, me çdo çmim dhe kosto politike. Pazaret e tilla janë duke e rrënuar demokracinë në themel, duke përcjellë mesazhin se në këtë vend vota nëpërkëmbet dhe qytetari nuk përfillet. Një parti, të cilën populli nuk e voton, falë kompromiseve dhe prapaskenave, do të udhëheqë dikasteret kryesore. Kjo është e pafalshme, e turpshme dhe përfundimisht një goditje e rëndë për stabilitetin shtetëror!

(Kosova Sot)