Editoriali: Pozitë-opozitë, përgjegjëse

  • 08 September 2017 - 17:13
Editoriali: Pozitë-opozitë, përgjegjëse

Me një shumicë të brishtë, Kuvendi është zhbllokuar dje gjatë vazhdimit të seancës së dështuar disa herë për shkak të mungesës së numrave nga koalicioni i parë në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Bojkoti i opozitës, me rastin e fjalimit të kryeparlamentarit, që u rizgjodh në këtë post, është sinjal jo i mirë për stabilitetin politik. Nëse edhe kjo legjislaturë, ku opozita është më e fuqishme, do të vazhdojë me logjikën e bojkoteve, atëherë vendin e presin ditë edhe më të mundimshme. Askush nuk ka pse të habitet nëse do të shohin gjithnjë e më tepër njerëz që mbushin autobusët në Prishtinë, në përpjekje për të ikur nga Kosova. Mënyra se si po formohet Qeveria e re nuk është inkurajuese, se mund të ketë përmirësim të shpejtë në sektorët më problematikë, por mbetet të shihet nga krerët e PAN-it, nëse do të arrijnë të reflektojnë gjatë kësaj qeverisjeje. Gjithsesi, me rëndësi është të ketë një komunikim normal pozitë-opozitë, në mënyrë që të shtyhen përpara çështjet e rëndësishme, që kanë mbajtur peng opinionin publik prej dytre vjetësh. Përgjegjësi e Qeverisë, që pritet të krijohet, është nxitja e zhvillimit të përgjithshëm, çlirimi i ekonomisë, shkapja e kompanive publike, ndërsa opozita ka mundësi të japë një kontribut të madh, në adresimin e drejtë të temave, si: demarkacioni, asociacioni, etj. Nuk mund të justifikohen politikanët shqiptarë, duke ia hedhur fajet Listës Serbe, që ka synimet e saj të njohura. Për t'i bërë reformat në drejtësi, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, nuk ka asnjë pengesë nga serbët, por janë vetë liderët tanë, të cilët manipulojnë opinionin, duke u përpjekur t'i bëjnë bisht përgjegjësisë. Nuk do të jetë aspak e lehtë të qeverisin koalicioni PAN-AKR, që nuk kanë lënë gjë pa i thënë njëritjetrit, por mbetet të shihet program dhe vizioni i tyre qeverisës. Nëse nuk fillojnë spastrimin e madh të institucioneve publike nga militantët, banditët, të paaftët, servilët, asgjë e mirë nuk pritet të ndodhë!

(Kosova Sot)