Editoriali: "Dethaçizimi" i shtetit

  • 12 September 2017 - 17:00
Editoriali:

Shkarkimi i Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe emërimi i ekspertit Shpejtim Bulliqi në krye të ekipit të ri, që do ta rishikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, është një sinjal se kryeministri aktual, për dallim nga i mëparshmi, nuk do të mbështesë gjithçka që ia ka lënë në tavolinë Hashim Thaçi sa ishte në krye të Qeverisë. Në fakt, ka edhe shumë veprime të tjera, që do të duhej t'i bënte ekzekutivi i ri, për të "dethaçizuar" shtetin. Barra kryesore i bie të sapozgjedhurit, me një shumicë minimale votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pesë zëvendëskryeministrat dhe 21 ministrat, kryesisht përfaqësojnë interesa të ngushta partiake, grupore, klanore, biznesore, nepotike, sekseriste. Vendi është i zhytur thellë në korrupsion, ndërsa nuk ka sektor që nuk gjendet në krizë. Hapësirë për punë ka sa të duash, por se sa është në gjendje ekipi i ri qeveritar që t'i çojë proceset përpara, mbetet një pikëpyetje e madhe. Gjithsesi, në vijimësi të një vendimi që duhej kaherë të merrej-shkarkimi i Komisionit të Demarkacionit-duhet të pasojnë veprimet e tjera, në dobi të shtetit. Edhe pse ish-lideri i PDK-së, tash president, përpiqet të duket si neutral në këto zhvillime, është më se e qartë se ai nuk lë gur pa lëvizur që të ruajë ndikimin e tij, duke nisur nga Qeveria, pushteti lokal, biznesi,drejtësia, diplomacia, kompanitë publike,agjencitë e ndryshme. Edhe nëse do të ketë vullnet, kreativitet, ide, energji, për të shtyrë gjërat përpara, njerëzit e presidentit, në vazhdimësi do të sabotojnë gjithçka. E keqja më e madhe këtij vendi i ka ardhur në mënyrë alarmante, që prej ardhjes në pushtet të Hashim Thaçit. Të gjitha raportet, analizat, vlerësimet, treguesit, e konfirmojnë një gjë të tillë. Të qeverisësh si ish-presidenti do të thotë të shkosh në brazdën e shtetrrënimit, ndërsa të pastrosh institucionet nga sahanlëpirësit e tij, servilë që i gjen ngado, do të thotë t'i japësh Republikës një frymëmarrje të re. Kjo, natyrisht, nuk nënkupton që të sjellësh në vend të tyre garnitura të njëjta, por njerëz të përkushtuar, profesionistë, me integritet, e jo militantë e të padijshëm!

(Kosova Sot)