< Editoriali: Varësia nga Serbia - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Varėsia nga Serbia

Editoriali: Varėsia nga Serbia

Për herë të parë, asnjë vendim në Kuvendin e Kosovës nuk mund të merret, nëse nuk ka një dakordim nga Lista Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi zyrtar. Synimi i tyre kryesor është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një proces i bllokuar pas protestave të opozitës, ku edhe vetë kryeministri aktual kishte dhënë kontributin e tij, në dërgimin e peticionit me 200 mijë nënshkrime kundër Marrëveshjes së Brukselit, por edhe kundër Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Nëse për këtë të fundit ka një konsistencë në qëndrimet e mëhershme, për Asociacionin, Qeveria e sapoformuar, duket e rezervuar. Krerët e Listës Serbe kanë deklaruar së fundmi se Asociacioni është një kusht i pranuar nga PAN-i. Në fakt, kjo duket e besueshme, sepse ky është interesi i serbëve, ndërsa pa votat e tyre s'mund të bëhej Qeveria. Por, a do ta paguajë rendi ynë kushtetues çmimin e një mekanizmi të ri, që mund të përfaqësojë një nivel të tretë pushteti? Ashtu siç e ka në tryezë Qeveria e re Marrëveshjen e Demarkacionit, të cilën me lehtësi po e flak tutje, njësoj e ka edhe atë të Asociacionit. Për këtë të dytën, ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese, që konfirmon se cenohet fryma kushtetuese, prandaj edhe statuti i Asociacionit, që do të hartohet nga grupet punuese, duhet të verifikohet nga Gjykata. Varësia nga Serbia mund të ketë kosto të lartë për koalicionin qeveritar, prandaj më mirë është të qartësohen gjërat që në fillim, për të mos lejuar pastaj përhapjen e turbullirave të ndryshme në opinionin publik. Opozita me siguri po fërkon duart në këtë rast, sepse ky do të jetë një argument i fuqishëm vazhdimisht, ndërsa për funksionalitetin qeveritar një pengesë e ashpër. Gjithsesi, pozitë - opozitë, është mirë të jenë unike, në adresimin e temave të mëdha, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zhbllokohen proceset dhe të ecim përpara, duke përfituar edhe liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot)

12 orë e 15 minuta më parë