Editoriali: Qeveria të shkarkojë të inkriminuarit

  • 14 September 2017 - 17:40
Editoriali: Qeveria të shkarkojë të inkriminuarit

Në urimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, për kryeministrin Ramush Haradinaj, me rastin e zgjedhjes së tij për herë të dytë në këtë pozitë, ndër të tjera, thuhet se njëra ndër sfidat për qeverinë e re është lufta kundër korrupsionit. Zotimi për të vepruar në këtë drejtim u dëgjua edhe në fjalimin e parë të kreut të Qeverisë, në seancën që ai mori besimin e deputetëve. Por, a mund ta luftojë e vetme Qeveria korrupsionin? Pa e reformuar sistemin e drejtësisë, vështirë të arrihet një gjë e tillë. Luftës ndaj korrupsionit i kanë munguar gjithnjë rezultatet konkrete, sepse fjalë e agjenci, borde e konferenca, ka pasur plot. Zyrtarët e korruptuar, bizneset e inkriminuara, individët e klientelës së kompromentuar me pushtetin, meritojnë ndëshkimin e drejtësisë, por që të ndodhë kjo duhet të kemi prokurorë të vendosur, profesionistë, të guximshëm, që ngritin aktakuza të qëndrueshme, ndërsa gjyqtarët duhet të mos bien në ndikimin e politikës, siç ka ndodhur deri tani. Qeveria aktuale duhet patjetër ta përfshijë në programin e saj VETTING-un, për të dëshmuar se ka vullnet politik që të bëhet pastrimi i institucioneve të drejtësisë dhe t'i hapet rruga vendosjes së sundimit të ligjit. Nëse do të ketë një transparencë maksimale dhe vendosmëri për ta luftuar të keqen e madhe që e ka përfshirë vendin, rezultatet nuk do të mungojnë. Por, nga ana tjetër, është me shumë rëndësi që të vendoset një partneritet për shtetndërtim mes pozitës dhe opozitës, si korrigjuese dhe kritike e fortë e pushtetit. Për ta luftuar konkretisht korrupsionin, ekzekutivit aktual do t'i duhet të "sakrifikojë" interesat partiake, klanore, klienteliste, për të ndërmarrë hapat e duhur. Zyrtarët e paaftë, të dyshimtë për afera korruptive, që janë në pozita të rëndësishme në institucionet dhe kompanitë publike, do të duhej të shkarkoheshin menjëherë, duke përçuar kështu një mesazh shprese te publiku se më në fund diçka e mirë po ndodh në këtë vend.

(Kosova Sot)