Editoriali: Dita e Anarkisë

  • 16 September 2017 - 17:12
Editoriali: Dita e Anarkisë

Në Kosovë, dje u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, por shija që po ua lë qytetarëve politika anon më tepër nga anarkia. Në gati dy dekada në liri dhe në prag të përmbylljes së një dhjetëvjeçari të pavarësuar, formalisht e kemi konsoliduar sistemin demokratik, kemi mbajtur zgjedhje të lira, ndonëse jo aq të ndershme, kemi garantuar me Kushtetutë parimin e pushteteve të ndara dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Shtyllat bazë të demokracisë janë vendosur, por ende pa u betonuar mirë, ka nisur lëkundja e tyre nga vetë ata që do të duhej të promovonin vlerat properëndimore. Demokracia nënkupton qeverisje nga shumica, por në shërbim të të gjithëve, pa diskriminuar askënd pse është rival politik apo ka një mendim ndryshe. Kjo gjë nuk është kuptuar ende e si rrjedhojë, qeverisjet e njëpasnjëshme në vendin tonë, në vend që t'u shërbenin qytetarëve, u vunë në shërbim të oligarkëve, vasalëve të tyre, klientelave të korruptuara dhe zhvatëse. Qeveria e re e ka rastin ta dëshmojë një kurs të ri, edhe pse, me formulën se si është ndërtuar ajo, vështirë të thyhet mentaliteti i frikshëm i deritashëm. Nëse është dobi e demokracisë që një parti, e cila as pragun elektoral nuk e kapërcen e vetme për të hyrë në Kuvend, merr gjysmën e qeverisë, atëherë diçka këtu nuk është në rregull me mënyrën si po funksionon Republika. Ky brez politikanësh sistemin demokratik e sheh si një mekanizëm të përshtatshëm për të abuzuar pafund, në secilën zyrë shtetërore e për të mbushur xhepat e pushtetarëve, familjarëve e miqve të tyre, partiakëve e zhvatësve të tjerë. Demokracia, fatkeqësisht, ka rrëshqitur drejt anarkisë dhe nëse shoqëria jonë nuk gjen forca për ta ndalur këtë regres, kohë edhe më të rënda na presin. De jure ne e kemi sistemin demokratik, por de facto është instaluar sundimi i oligarkisë së pasluftës, i cili, me gjasë, do të lëshojë rrënjë të reja, në vend që të marrë fund një herë e mirë. 

(Kosova Sot)