Editoriali: Kur të vret politika

  • 19 September 2017 - 17:49
Editoriali: Kur të vret politika

Çdo gjë këtu është e lidhur ngushtë me politikën, me partitë, me liderin. Kjo hierarki vendos për gjithçka, mbarë e mbrapsht, mirë e keq. Zakonisht, vendimet janë në favor të oligarkëve, grupeve të caktuara të interesit, pjesë e pazareve të pista që bën pushteti. Nëntoka dirigjon në fshehtësi, ndërsa klientela vjel frytet, mbush xhirollogaritë e panjohura tash për tash, sepse nuk kemi prokurorë që t'i hetojnë politikanët e kamur e gjyqtarë që t'i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore. Skandalet që ngjajnë sot janë vetëm maja e aisbergut korruptiv, që e ka ndërtuar me kaq përkushtim politika e pistë kosovare për të gjitha këto vite të pasluftës. Pacientët dyshohen se vdiqën për shkak të një gazi në sallat e QKUK-së, por kushedi sa e kanë pësuar për arsye nga më banalet. Mjekët tregojnë vetë sa herë kanë mbetur pa penj operacioni e gjëra nga më elementaret. Shëndetësinë e ka sjellë në këtë ditë të rëndë politika. Krerët e sistemit lakohen edhe në aferën "Pronto", ndërsa dalja nga kriza është e largët me këtë garniturë që qeveris sot. Sundimtarëve u intereson biznesi me shëndetin, jo shëndeti i qytetarëve, prandaj nuk kursejnë asgjë që u del përpara e ua rrezikon fitimin e paligjshëm. Shëndeti është në rrezik jo vetëm nga sistemi i degraduar, por edhe nga produktet që konsumojmë, e që s'dihet çka përmbajnë. Për skandalin e grurit të mykur, që përdorej si ushqim për kafshë në Serbi, e importohet nga oligarkët në Kosovë, organet shtetërore vazhdojnë të heshtin. Mielli shitet, konsumohet, ndërsa për konsumatorin nuk mendon askush. Ky vend është bërë i frikshëm për të jetuar, sepse nuk ka siguri për asgjë. Askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që dirigjojnë skemën mafio-kriminale, që qarkullon miliardat, nuk lejojnë t'u preket biznesi i tyre i pistë. Në njërën anë i kanë ushtarët e tyre në pozitat kyçe, e në anën tjetër kontrollojnë sistemin e drejtësisë. Për sa kohë është kështu, për jetët e humbura askush nuk do të përgjigjet!

(Kosova Sot)