Editorial: Rrogat këta i kanë të vogla, por të ardhurat të larta

  • 20 September 2017 - 17:24
Editorial: Rrogat këta i kanë të vogla, por të ardhurat të larta

Ende pa e bërë një muaj, si të gjithë pararendësit e tyre në qeveri, edhe kjo aktualja nxitoi të shpallë kontrata furnizimi për telefona të shtrenjtë mobilë. Një tender mijëra euro, mund të duket gjë e vogël, e padëmshme për shtetin, por është një shenjë aspak e mirë, për vazhdimësinë e traditës abuzive me paranë publike. Të gjithë ata që punojnë në zyrat qeveritare, janë të pajisur goxha mirë me telefona të mençur dhe fare nuk kanë nevojë, që të perfeksionohen në këtë drejtim. Si për rastësi, Kontrata për furnizime nga Zyra e Kryeministrit ka koinciduar me lansimin e produkteve të reja nga kompania "Apple". Modeli i ri 'Iphone X', dhe 'Iphone 8' dhe '8 Plus', janë lansuar javën që shkoi nga kompania me qendër në Kaliforni dhe çmimi shkon deri në një mijë dollarë. Zyra e kryeministrit ka sqaruar sipas mediave se 14 telefonat celularë për të cilët ka shpallur tender për t'i blerë me buxhet të shtetit, janë për nevoja pune dhe jo luksi, ndërsa arsyetimi qesharak është se pagat e zyrtarëve janë të vogla dhe nuk mund t'i blejnë telefonat e shtrenjtë! Nëse u duken pagat e vogla, atëherë le të shkojnë të gjejnë punë të tjera ku paguhen më shumë, nëse kanë kualitete që u shpërblehen në ofrimin e shërbimeve profesionale. Fatkeqësisht, pushteti zakonisht, nga shumica e atyre që nuk lënë gur pa lëvizur deri sa ngjiten në majat e tij, shihet si një mundësi e mirë jo për t'u shërbyer qytetarëve, por për të trashur xhepat, për të shtuar patundshmëritë, vilat luksoze, veturat e shtrenjta. Rrogat vërtet mund të jenë të vogla në qeveri, por të ardhurat këta i kanë goxha të larta, krahasuar me pagesën mujore që marrin. Në fakt, mjafton të shohësh formularët e antikorrupsionit, që të bindesh se thuajse për asnjë zyrtar nuk justifikohet niveli i pasurisë, krahasuar me të ardhurat mujore të rregullta që i merr nga shteti. Qeveria duhet urgjentisht të ndalojë blerje të tilla, që tregojnë babëzinë e pushtetarëve, çfarë- do ngjyre qofshin!

(Kosova Sot)