Editoriali: Takimet e kota të liderëve kosovarë në SHBA

  • 25 September 2017 - 17:12
Editoriali: Takimet e kota të liderëve kosovarë në SHBA

Në mos për asgjë tjetër, udhëtimi i presidentit dhe ministrit të jashtëm, bashkë me shpurat e tyre përkatëse, për një gjë ka shërbyer. Mëditjet që marrin zyrtarët kosovarë kur dalin jashtë vendit janë të larta dhe ata i gëzohen këtij fakti, kurse sa i përket ndonjë arritjeje për shtetin, as që u bie ndërmend. Prej disa ditësh, edicionet qendrore të lajmeve, sidomos ato ku politika ka kontroll absolute, janë hapur me fotografitë e kreut të shtetit dhe zv.kryeministrit tonë, të cilët janë takuar me zyrtarë, kryesisht të niveleve të ulëta, të shteteve të tjera, me asistentë drejtorë etj. Në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse duke mos qenë as anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova është e bllokuar. Por, tentativa e pushtetit për ta shitur udhëtimin e kushtueshëm për xhepin e taksapaguesve kosovarë, si një sipërmarrje politike të suksesshme, është një hipokrizi e madhe. Ata mund të zhvillojnë dhjetëra takime, të hanë e të pinë, nga mëngjesi në darkë, me fondet publike, por, të paktën deri tash, qoftë edhe një lajm i vogël nga "sukseset" e tyre nuk mbërriti në Kosovë. Arsyeja është fare e thjeshtë - delegacioni kosovar në OKB ka shkuar të bëjë shëtitje turistike dhe asgjë tjetër. Presidenti me stafin e tij sorollaten më kot në korridoret e ndërtesës së OKB-së, kurse zëvendëskryeministri biznesmen vërtet takohet me plot zyrtarë, por syrin e ka te zgjerimi eventual i bizneseve të tij. Shteti ynë duhet t'u japë fund vizitave të kota jashtë vendit, kur nuk ka asnjë produktivitet prej tyre, dhe të analizojë çdo udhëtim zyrtar, që bëhet në emër të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, të lobimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të tërheqjes së investitorëve etj. Duhet t'i jepet fund praktikës që të shfrytëzohet çdo mundësi, për ta zhvatur paranë publike në emër të kontributeve të rreme për shtetin.

(Kosova Sot)