Editoriali:Një goditje në kupolën e arsimit

  • 26 September 2017 - 17:08
Editoriali:Një goditje në kupolën e arsimit
Pa dhënë ndonjë arsyetim publik, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë - KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie. Këtë vendim, ministri Bytyqi e ka marrë pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka kërkuar edhe fillimin e menjëhershëm të procedurave për zgjedhjen e Bordit të ri dhe drejtorin e AKA-së. Kreu i Qeverisë këtë kërkesë e ka bërë duke e arsyetuar se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa ka kërkuar nga ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, etike dhe profesionale. Kjo goditje në kupolën e arsimit, nëse synon nisjen e një procesi reformues në këtë sektor të lënë pas dore, e të vërshuar nga komercializmi, duhet të konsiderohet e mirëseardhur. Agjencinë për Akreditim e kanë udhëhequr njerëz partiakë, ndërsa përzgjedhja e anëtarëve të rinj duhet të lërë anash militantët e partive. Formalisht, Kosova ka hedhur disa hapa me anë të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, por përmbajtësisht, MASHT-i nuk ka arritur të vendosë rregull dhe kritere, apo të zbatojë standardet e cilësisë, për të siguruar që diplomat që marrin studentët janë të vlefshme në tregun e punës. Anketimet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se bizneset kosovare zakonisht janë të pakënaqura me nivelin e të diplomuarve që kërkojnë punë, por u mungojnë aftësitë e nevojshme. Këshilli Shtetëror i Cilësisë është bërë partner i një skeme tepër të dëmshme, për arsimin e lartë në Kosovë, duke mundësuar lulëzimin e gjithfarë kolegjesh e fakultetesh private ku, thjesht, shiten diploma universitare. Qeveria duhet ta përforcojë arsimin publik, ta depolitizojë, t'i forcojë universitetet, mundësisht të bëhen krejtësisht pa pagesë, ndërsa privatët të shndërrohen në konkurrentë me vlera e jo në fabrika diplomash, siç janë aktualisht.
(Kosova Sot)