Editoriali: Katër vjet nuk i mjaftuan Shpendit për qentë endacakë

  • 27 September 2017 - 17:11
Editoriali: Katër vjet nuk i mjaftuan Shpendit për qentë endacakë

Në prag të zgjedhjeve lokale, kryetarët që po u skadon mandati mundohen të hiperbolizojnë ndonjë arritje që e kanë pasur, ndërsa justifikohen për çdo dështim, duke fajësuar herë nivelin qendror, herë Kuvendin Komunal, herë ligjet, etj. Një ndër problemet e kamotshme në kryeqytetin e mbipopulluar dhe të rrë- mujshëm, është rreziku nga qentë endacakë. Kemi parë plot raste, që kanë përfunduar në spital apo edhe më keq, për shkak të kafshimeve helmuese, ndërsa edhe më tutje situata mbetet alarmante. Jo vetëm që komunarët nuk e kanë zgjidhur as përafërsisht problemin, por kanë lejuar që situata të degradojë, sa në kohë fushate të shpallin edhe gjendje të jashtëzakonshme. Kjo është e pafalshme edhe për një komunë të vogël, e lëre më për një kryeqendër, e cila prej katër vjetësh është sunduar nga duart e lëvizjes 'Vetëvendosje'. Tash, u kujtuan krerët e komunës të arsyetohen se i paskan dërguar letra qeverisë dhe presidencës për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë. Sa protestonin dhunshëm dhe e shkatërronin Prishtinën, më mirë të organizoheshin e të bënin presion mbi shtetin, që të gjendet një zgjidhje e duhur, për ta shmangur kërcënimin e jetës së qytetarëve nga qentë endacakë. Komuna, së cilës çdo vit i kanë tepruar miliona euro, ka pasur mundësi të bollshme që ta adresojë me kujdes dhe efikasitet këtë çështje, por as që e ka pasur prioritet një gjë të tillë. Reagimi i orëve të fundit është tepër i vonuar dhe assesi nuk mund të mjaftojë për t'i bërë bisht llogaridhënies. Pushtetarët janë aty, jo për të konsoliduar tenderomaninë, korrupsionin, nepotizmin, klientelat, por për të vepruar në përputhje me ligjin, duke u shërbyer me devotshmëri qytetarëve. Është e pafalshme, që sot, as deri në rrugë nuk mund të dalësh e të jesh i sigurt, sepse mund të kafshojë ndonjë qen endacak. Qeveria e VV-së ka dështuar rëndë në këtë pikë, sikur edhe në shume të tjera, dhe votuesit, sigurisht, që nuk do ta falin edhe për shumë arsye të tjera, në ditën e zgjedhjeve.

(Kosova Sot)