Editoriali: Tirana e Prishtina, një kurs i ri (a) është i mundshëm

  • 28 September 2017 - 18:11
Editoriali: Tirana e Prishtina, një kurs i ri (a) është i mundshëm

Përtej populizmit të zakonshëm, që karakterizon vizitat e takimet e nivelit të lartë Shqipëri-Kosovë, ky është moment i një kthese praktike, në raportet mes qeverive, të cilat reflektojnë ndjeshëm në marrëdhëniet mes njerëzve, bizneseve, organizatave etj. Lehtësirat e përmendura gjatë vizitës së kryeministrit Haradinaj në Tiranë, idetë për fondet e përbashkëta për diplomacinë etj., duhet të jetësohen sa më parë. Kosova e Shqipëria nuk kanë kurrfarë pengese që të heqin kufijtë mes tyre, të shmangin pengesat e panevojshme, sidomos në fushën e biznesit, në lehtësimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe mallrave në të dyja drejtimet. Një shqiptar që vjen të punojë apo të studiojë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas nuk ka pse të përballet me burokraci, leje, dokumentacion, por duhet të ndihet si në vendin e tij. Kaq mund të bëjnë qeveritë respektive dhe kjo është një detyrë kombëtare e shtetërore për Tiranën e Prishtinën. Duke lehtësuar lëvizjen e lirë, punësimin, investimet, do të forcohen edhe lidhjet në të gjitha rrafshet. Kosova dhe Shqipëria mund të shohin dobi të madhe ekonomike nëse ka një partneritet serioz biznesor, duke krijuar ambient miqësor për qarkullimin e kapitalit, të shërbimeve dhe punësimin e njerëzve. Në rrethanat e një tregu të gjerë, ku konkurrenca sa vjen e ashpërsohet, qeveritë tona duhet të jenë shumë të vëmendshme dhe kreative, për të maksimalizuar përfitimet e shteteve respektive, ekonomive përkatëse dhe si rrjedhojë edhe një përmirësim të mirëqenies së shqiptarëve. Resurset dhe potencialet janë të mëdha, por në masë të madhe të kufizuara e të pashfrytëzuara sa dhe si duhet. Shpesh ka improvizime, që na kushtojnë shumë, prandaj ka shumë punë së pari për politikëbërësit, ndërsa pjesa tjetër u takon sipërmarrësve seriozë. Por, që ky partneritet të ketë sukses pushtetarët duhet të heqin dorë nga "participimi" në investimet e ndryshme, që po shkaktojnë pastaj monopole, pengesa në biznes, korrupsion, krim të organizuar. Bashkëpunimi duhet të jetë transparent dhe të garantohet tregu i lirë e konkurrenca e ndershme.

(Kosova Sot)