Editoriali: Të diplomuar, por të paaftë!

  • 30 September 2017 - 17:10
Editoriali: Të diplomuar, por të paaftë!

Hulumtimi i publikuar dje nga Oda Ekonomike e Kosovës, për sfidat e bizneseve në gjetjen e forcës së kualifikuar punëtore, duhet të shërbejë si një alarm për institucionet kosovare, sidomos për ato që janë përgjegjëse për sektorin e arsimit. Është më se e qartë se ka një hendek të thellë mes nivelit të të diplomuarve dhe cilësisë së diplomave të tyre në tregun e punës. Ne mund të mburremi se jemi duke shtuar nga viti në vit numrin e studentëve, që kryejnë nivelin bachelor e master, por kur ata përballen me punëdhënësit, del në shesh e vërteta e asaj çka kanë mësuar në universitete dhe kolegje. Cilësia e arsimit të lartë lë shumë për të dëshiruar, prandaj do të duhej që të kishte zbatim të standardeve bashkëkohore, për të nxjerrë kuadro të kërkuara në tregun e punës. Dhjetëra institucione të arsimit të lartë privat prodhojnë diplomantë në seri, ndërsa vlera e atyre diplomave, praktikisht, në shumë raste, është zero. Por, a mban dikush përgjegjësi për këtë neglizhencë me pasoja të rënda për vendin tonë? Deri tani, askush nuk u mërzit për këtë degradim të sistemit arsimor, e si rrjedhojë kemi mbërritur në këtë pikë alarmuese, ku gati gjysma e bizneseve, sipas hulumtimit të OEK-ut, nuk arrijnë të gjejnë fuqi të kualifikuar punëtore. MASHT-i duhet të rishikojë me urgjencë së pari shkollat profesionale, që aftësojnë të rinjtë për profesione të ndryshme, të cilat edhe janë mjaft të kërkuara në treg, ndërsa në arsimin e lartë duhet të ketë një harmonizim të studimeve me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e bizneseve. Shteti duhet ta shtojë kontrollin përmes mekanizmave të tij, për të ndikuar që cilësia të rritet dhe diplomat të fitojnë vlerën e munguar. Universitetet publike duhet të reformohen dhe të krijojnë partneritete me sipërmarrje private apo publike për praktika studentore, kurse kolegjet private, të disiplinohen, të investojnë e të bëhen konkurrente të denja, përmes rritjes së cilësisë, e jo të shesin diploma pa kontroll. Vërtet kemi një rini të mrekullueshme, por më e papuna në rajon dhe më e pakualifikuara fatkeqë- sisht!

(Kosova Sot)