Editoriali: Sa poshtë ka rënë ky vend

  • 02 October 2017 - 17:16
Editoriali: Sa poshtë ka rënë ky vend

Grushtimi i një deputeti, nga një deputet tjetër, në studion televizive, pronë e shërbyesit të politikës "Pronto", që promovon prej kohësh gjuhën e degraduar, kacafytjet verbale, urrejtjen dhe diskriminimin, nuk është një incident i izoluar. Incidenti i rëndë mund të jetë vetëm fillimi i një kronike të paralajmëruar tashmë nga të dy krahët. Rivalët e politikës kosovare nuk e kanë ndërmend të përmirësohen, por duan ta zhysin këtë vend gjithnjë e më thellë në batakun që vetë e kanë krijuar prej gati dy dekadash. Arsyeja është fare e thjeshtë. Duke e bërë një gjë të tillë, mbijetesa e bandave të politikës do të zgjasë edhe më tutje. Secilës palë i duhen argatët e dhunës dhe diskursit fyes, zhurmues, shpifës, për të tërhequr vëmendjen e publikut, nga temat e vërteta, të cilat do të duhej t'i shqetë- sonin të gjithë. Nuk është e rastësishme që asnjëri kamp nuk distancohet nga protagonistët e tyre. Askush nuk kërkon falje, por rrahagjoksit bile mundohen t'i trimërojnë mbështetësit për qëndrimin e gabuar që mbajnë. Ai që grushton duhet të kërkojë falje publike e kush fyen e shpif të tërhiqet nga kjo gjuhë e palejueshme, që nxit tensione dhe pakë- naqësi. Problemi i vërtetë nuk është te dy personazhet e rastit, por te subjektet që ua hapin dyert, ua bëjnë votat dhe ua rrahin shpinën për çmenduritë e tyre publike. Ndërsa sfida më e madhe është se si do të ndalet një diskurs i tillë, kur mungon alternativa konkrete për qytetarët. Klani "Pronto", me gjasë, nuk shkulet nga kolltuku i pushtetit pa gjuhën e forcës, por këtë do të duhej ta bënte drejtësia, nëse do ta kishim një të tillë të mirëfilltë. Me gjuhën e dhunës, ashtu siç e promovon herë pas here opozita, kriza vetëm sa do të thellohet, por zgjidhje nuk do të ketë. Pa u distancuar qartë nga grushtet dhe fyerjet, pa ua treguar vendin që e meritojnë, secilit që luan rolin e kapadaiut në skenën publike, ngjarje të tilla mund të përsëriten. Si për t'u thënë atyre që i votuan: Ja, si po ju përfaqësojmë o të mjerë!

(Kosova Sot)