Editoriali: Përfaqësuesit që s'i kemi

  • 03 October 2017 - 17:18
Editoriali: Përfaqësuesit që s'i kemi

Nëse keni shpresuar se legjislatura e re do të përmirësohet dhe do të nxjerrë mësim nga e kaluara, mjafton ta keni shikuar seancën e djeshme, për t'u bindur se nuk ka hair prej këtyre deputetëve, as kësaj radhe. Vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme, me temë debati parimet programore të Qeverisë, edhe pse e kishte humbur kuptimin e mbajtjes, pasi tashmë në sirtarët e përfaqësuesve të popullit është një program i ekzekutivit, shërbeu si tribunë elektorale, e asgjë më shumë. Shumica e folësve u munduan t'i mbajnë leksione njëri-tjetrit, duke përgjithësuar gjithçka e duke mos thënë asgjë konkrete. Për t'ia vulosur dështimin kësaj séance mjaftoi largimi i Qeverisë, me pretekstin se "kanë punë" e nuk duan të humbasin kohë me polemika parazgjedhore në Kuvend. Qoftë kjo një shmangie e izoluar dhe jo vazhdim i një tradite antiligjore e antikushtetuese të qeverive të mëhershme. Qeveritarët do të duhej t'i nënshtroheshin rregullisht llogaridhënies në Kuvendin që i ka zgjedhur, për t'u përballur me deputetët, të cilët duhet të përfaqësojnë interesin e sovranit. Ballafaqimi i tillë nënkupton transparencë dhe rritje të përgjegjësisë, prandaj është vendimtar për funksionalizimin e institucioneve. Një ditë e tërë u shpenzua nga parlamentarët, për t'iu hakërryer njëri-tjetrit e për të mos dalë te tema qendrore-parimet programore të Qeverisë. Mes rreshtash u dëgjuan edhe zotime të "guximshme", për komisione hetimore, partneritet me opozitën etj., por, siç thonë, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Nëse deputetët e kanë seriozisht mandatin e tyre, duhet ta vënë para përgjegjë- sisë Qeverinë për secilin veprim. Gjithashtu, duhet të iniciojnë veprime konkrete që e luftojnë krimin dhe korrupsionin, monopolet në ekonomi dhe nepotizmin në administratë, keqpërdorimet në kompani publike dhe abuzimet në agjencitë shtetërore, familjarizmin dhe militantizmin në diplomaci dhe mbipunësimin në institucione. Ka punë sa të duash për Kuvendin, por mënyra si debatuan dje tregon se deputetët aty mund të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe përfaqësues të popullit!

(Kosova Sot)