Editoriali: Kuvendi të shqyrtojë dëmet miliardëshe të luftës

  • 04 October 2017 - 17:07
Editoriali: Kuvendi të shqyrtojë dëmet miliardëshe të luftës

Opozitës i dështoi dje mocioni i parë, që kërkonte shkarkimin e një ministri të Listës Serbe në radhët e Qeverisë së Kosovës. Pushteti u arsyetua se organet kompetente shtetërore, Agjencia e Inteligjencës dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, nuk kishin dhënë kurrfarë faktesh për inkriminimin e Nenad Rikalos në krimet e luftës në Prishtinë, për çka disa banorë të lagjes "Dardania" kanë folur tashmë. Opozita u përpoq ta shfrytëzojë këtë moment, për ta goditur qeverinë 'Haradinaj', por e udhës do të ishte që çështja të shtrohej ndryshe dhe në një aspekt më të gjerë. Drejtësia do të duhej të sqaronte situatën jo vetëm për anëtarin serb të ekzekutivit, por për shumë ngjarje të rënda kriminale që ndodhën në kohën e luftës dhe represionit të Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Nëse nuk e ndërmerr Qeveria një nismë të tillë, atëherë opozita mund të hapë temat e krimeve dhe dëmeve të luftës, të padive që hidhen poshtë nga gjykatat kosovare, për ta trajtuar, edhe pse me shumë vonesë, këtë problematikë komplekse dhe të injoruar qëllimisht nga të gjitha qeveritë. Qytetari kosovar, sipërmarrësi ynë, që kanë pësuar dëme të jashtëzakonshme nga Serbia, asnjëherë nuk e pati mundësinë ligjore, por as politike, që të kërkojnë adresimin e së drejtës që i garantohet me çdo ligj dhe konventë ndërkombëtare. Republika e Kosovës duhet të mos i heshtë pasojat katastrofike të dëmeve të luftës, të mos i lërë të presin më kot të gjithë të dëmtuarit, që shpresojnë se shteti i tyre të paktën nuk do t'ua kthejë shpinën, kur ata kanë më së shumti nevojë për të. Kuvendi duhet të dalë me një qëndrim konkret, se pse gjykatat tona refuzojnë të trajtojnë paditë për dëme dhe krime lufte, ku e pësuan qytetarët tanë të pafajshëm. Sidomos tani, kur është faza e përmbylljes së dialogut, përfundimisht, nuk mund të injorohet më tej kjo temë e ndjeshme, për të cilën asnjëherë Prishtina zyrtare nuk foli seriozisht në takimet e Brukselit apo edhe ngjarjet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

(Kosova Sot)