Editoriali: Diplomacia donkishoteske e MPJ-së

  • 05 October 2017 - 17:18
Editoriali: Diplomacia donkishoteske e MPJ-së

Pas dështimit me Interpolin, vjen edhe kapitullimi i radhës. Kosova është tërhequr nga aplikimi për t'u bërë anëtare e UNESCO-s, një kandidim që, me gjasë, do të pësonte debakël, për shkak të joseriozitetit të shtetit tonë. Përballë një fushate të egër kundër pavarësisë dhe ndërkombë- tarizimit të çështjes së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e vendit tonë është treguar shumë e dobët, e paaftë, ndërsa nëse bazohemi në lidershipin aktual, as që mund të presim ndonjë sukses në ditët e ardhshme. Ministri aktual i Punëve të Jashtme, para pak kohësh kishte thënë se i kemi votat për anëtarësim në UNESCO, por tërheqja nga kandidimi e dëshmoi të kundërtën, se ky ministër sharlatan, thjesht, po gënjente, ashtu siç kanë bërë edhe pararendësit tij në krye të MPJ-së. Po ta kishte marrë me seriozitet dhe përkushtim diplomacia kosovare anëtarësimin në UNESCO, me kohë do të punohej për të lobuar e për të bindur skeptikët, sepse nuk ka qenë mision i pamundur. Por, shërbimi ynë i jashtëm është shndërruar në një pushimore për militantët e partive, kushërinjtë e zyrtarëve të lartë dhe është bërë strehë e të paaftëve, të inkriminuarve, personave pa integritet dhe profesionalizëm. Në fakt, sot formalisht e kemi diplomacinë, por, praktikisht, nuk kemi përfaqësim të denjë. Arsyetimi që iu dërgua medieve, se mosdorëzimi për kandidim në UNESCO është bërë pas koordinimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, duket qesharak, por edhe i pavërtetë. Askush nga Ambasada amerikane apo zyra e BE-së në Kosovë nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Për ta bërë edhe më skandaloze deklaratën e MPJ-së, është konstatimi se "këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës" etj., etj. Për këto dështime dhe improvizime me diplomacinë kosovare, që është në duart e dy liderëve tepër joseriozë, Kuvendi duhet urgjentisht të thërrasë në interpelancë bartësit e përgjegjësive shtetërore, që të kërkojë llogari prej tyre.

(Kosova Sot)