Editoriali: Kosova e Al Kaponëv

  • 06 October 2017 - 17:00
Editoriali: Kosova e Al Kaponëv

Deklaratat e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, gjithnjë kanë shkaktuar një jehonë të madhe në opinionin mbarëshqiptar, pasi ai nuk i ka kursyer asnjëherë nivelet e larta të pushtetit të inkriminuar. Kur fliste për gjyqtarët që mbanin orë luksoze në duart e tyre, diplomati i SHBA-së godiste një sistem të korruptuar drejtësie, i cili pas presionit të shtuar ndërkombëtar do t'i nënshtrohet VETTING-ut. Së fundmi, ambasadori Lu goditi hapur klanet kryesore mafioze dhe familjet që kontrollojnë trafikun e drogës, armëve dhe kontrabandën në Shqipëri. Duke e krahasuar Shqipërinë me Amerikën e kohës së Al Kapones, ai përcolli një mesazh të qartë për autoritetet shtetërore, por edhe për shoqërinë shqiptare. Krimi e ka mbërthyer shtetin dhe, për fat të keq, nuk është situata më e mirë as në Kosovën tonë. Dallimi i vetëm është se, nëse ambasadori amerikan në Tiranë nuk ngurron të drejtojë gishtin e akuzës ndaj bandave, në Prishtinë, ende nuk kemi mbërritur te ky diskurs shumë vendimtar për shtetin. Edhe pse nuk ka mbetur asnjë sekret në këtë drejtim, prapëseprapë mungon një denoncim publik, i bandave që e kanë kapur shtetin. Dihet se kush janë oligarkët kosovarë që kontrollojnë monopolet fitimprurëse, që përfitojnë kontratat e majme me fondet publike, që vendosin se kush do të bëhet kryetar komune apo ministër, drejtor apo deputet, që t'u shërbejë pastaj me besnikëri, pasi t'ua mbushin mirë gushën! Mospengimi i oligarkisë politike dhe biznesore, që e ka bllokuar zhvillimin ekonomik, e ka marrë peng tregun e lirë, ka ngulfatur prodhuesit vendorë, ka dëbuar investitorët seriozë, ka pasoja të jashtëzakonshme për Kosovën. Fuqizimi i kompanive të caktuara, pas të cilave qëndrojnë njerëzit e pushtetshëm dhe të nëntokës, e ka demotivuar sipërmarrjen private, ndërsa fuqia punëtore është në largim e sipër, sepse nuk ka kurrfarë perspektive. Mafio-politika po e bën edhe te ne ligjin, njësoj si në Shqipëri, ndërsa partitë janë në shërbim të bandave. Kur vijnë në pushtet, u shërbejnë edhe më shumë!

(Kosova Sot)