Editoriali: 18 vjet për një ligj

  • 07 October 2017 - 17:14
Editoriali: 18 vjet për një ligj

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë se për kryeqytetin duhet të ketë një ligj të veçantë. Por, pavarësisht asaj çka parasheh akti themelor politikojuridik i shtetit tonë, lidershipi ynë përgjatë këtyre viteve nuk ka qenë në gjendje ta miratojë ligjin për Prishtinën. Secilës qeveri komunale një ligj i tillë do t'i kishte ardhur në ndihmë për të bërë shumë më tepër për banorët e kryeqendrës. Zvarritja e deritashme është e pajustifikueshme. Zakonisht, pushteti qendror e ka bllokuar procedimin e ligjit, për inate politike, duke vënë në plan të parë interesat e ngushta partiake. Prishtina deri tash është trajtuar si një komunë e vogël, e parëndësishme, ndërsa qytetarët, që jetojnë në kryeqytet, e vuajnë këtë trajtim të padinjitetshëm ligjor, që është bërë deri më sot. Shembulli me këtë ligj e ilustron më së miri degradimin e politikës kosovare, e cila asnjëherë nuk ka parë përtej interesit klanor, grupor, e besa edhe kriminal. Përveç qytetarëve, janë edhe sipërmarrësit e lirë privatë, të cilët në kryeqytet jo vetëm që nuk trajtohen mirë, nëse nuk janë pjesë e garniturave në pushtet apo klientelave të tyre, por diskriminohen skajshmërisht. Projektligji që u miratua nga Qeveria dje, një vendim i vonuar, por i mirëseardhur, nuk dihet se çfarë trajtimi u bën investitorëve potencialë, megjithatë, Kuvendi duhet të tregohet i kujdesshëm në këtë pikë. Investimet serioze duhet të garantohen me ligj dhe të mos bllokohen nga interesat kriminale, që mbajnë peng zhvillimin ekonomik të kryeqytetit. Mënyra se si ka qeverisur kryetari aktual i Prishtinës, dhe ai para tij, është degraduese për biznesin dhe i tremb investitorët. Ligji për kryeqytetin do të duhej ta adresonte këtë aspekt shumë të rëndësishëm, që zakonisht lihet pas dore në pjesën legjislative, duke krijuar paqartësi, dualizma e duke lënë vendimmarrjen në mëshirën e zyrtarëve të inkriminuar. Me rëndësi, hapi i parë më në fund u bë dhe projektligji është në Kuvend, por edhe cilësia e tij do të duhej të ishte në përputhje me rrethanat dhe nevojat, sidomos të komunitetit të biznesit, që anashkalohet dhe shantazhohet nga pushteti në çdo nivel.  

(Kosova Sot)