Editoriali: Mashtrues, gënjeshtarë dhe të inkriminuar recidivistë!

  • 09 October 2017 - 17:03
Editoriali: Mashtrues, gënjeshtarë dhe të inkriminuar recidivistë!

Gati dy dekada pas luftës, në fushatën elektorale për zgjedhjet e pushtetit lokal, mijëra kandidatë për asamblistë dhe kryetarë të komunave zotohen për të njëjtat gjëra sërish. Furnizim me ujë, trajtim ujërash të zeza, kanalizim, gjelbërim, ambient i pastër, efikasitet në administratë, sundim ligji, punësim, ambient më të mirë biznesor etj., etj. Të gjitha këto, por edhe plot të mira të tjera, i premtojnë pjesëmarrësit në garën politike, shpesh duke e shfrenuar fantazinë elektorale, duke u zotuar për gjëra që edhe më të painformuarit e dinë se janë të parealizueshme. Por, të ndalemi pak te problemet e zgjidhshme, që u shtresuan vit pas viti, mandat pas mandati, ndërsa qeveritë lokale, nuk i adresonin asnjëherë, edhe pse mundësitë ishin, buxheti ndahej. Asnjëri nga mijëra kandidatët që duan të bëhen anëtarë të Kuvendeve Komunale ose kryetar të komunave nuk e kthen kokën pas për të pranuar publikisht së pari fajin e subjekteve, së cilave u përkasin, dhe për t'u distancuar nga keqqeverisja e tyre. Kandidatët shajnë njëri-tjetrin, por i ruajnë si sytë e ballit partitë e tyre. Por, fatkeqësisht, janë pikërisht subjektet politike dhe të zgjedhurit e tyre që kanë udhëhequr për gjithë këto vite komunat, pse Kosova është në këtë gjendje. Janë pushtetarët e deritashëm përgjegjës për degradimin urban, korrupsionin me lejet e ndërtimit, shkatërrimin ambiental, mungesën e parkingjeve, reduktimet e ujit të pijes, kanalizimet gjithandej, pasigurinë kolektive, nepotizmin dhe militantizmin, krizën në arsim dhe shëndetësi, joprofesionalizmin dhe banditizmin… Asnjë komunë nuk ka arritur për tërë këtë kohë të dëshmojë një model të pranueshëm qeverisjeje të mirë, sepse partitë që i kemi janë modeli i së keqes, i hajnisë së fondeve publike, zhvatjes së resurseve kombëtare, abuzimit me pushtetin. Pra, pa ndryshuar subjektet që i "prodhojnë" kandidatët marioneta ndryshimi nuk ka se si të vijë as me këto zgjedhje, kur thjesht riciklohen njerëzit dhe premtimet, e asgjë më shumë. Qytetarët gjithsesi mundësinë e vetme, të paktën, e kanë që të mos lejojnë që të njëjtit komunarë që i mashtruan një herë t'i mashtrojnë sërish, siç është rasti me Prishtinën e degraduar nga tejinkriminimi i Shpendit, Dardanit, Liburnit dhe kupolës së VV-së.

(Kosova Sot)