Editoriali: Metamorfoza e Presidentit

  • 12 October 2017 - 17:10
Editoriali: Metamorfoza e Presidentit

Pas "blofit" për Gjykatën Speciale, presidenti i Kosovës ka vazhduar me deklaratat "bombastike", duke i kërkuar homologut të tij Ilir Meta, gjatë vizitës së këtij të fundit në Prishtinë, dhënien e nënshtetësisë për qytetarët kosovarë. Kjo mund të jetë një formë e re presioni, që ka zgjedhur kreu i Republikës për t'ia bërë Brukselit, por një strategji e tillë, duket sa qesharake, aq edhe e rrezikshme. Dihet fare mirë se Shqipëria nuk mund të lëshojë pasaporta shqiptare masivisht, sepse një veprim i tillë është i kundërligjshëm për shtetin shqiptar dhe i rrezikon edhe për vetë shtetasit atje,që të privohen nga lëvizja pa viza në hapësirën e Shëngenit. Por, pse e kërkon Thaçi një gjë të tillë, pak pasi u ankua se ndërkombëtarët nuk mbajtën premtimet pas pranimit të Gjykatës Speciale? E para, ai e bën këtë që të justifikohet para qytetarëve të Kosovës, të cilët i mashtroi sa e sa herë për liberalizimin e vizave. E dyta, duke dëshiruar të dalë sërish në rolin e protagonistit, presidenti, pavarësisht gafave që bën, nuk ngurron të shkelë sërish në dërrasë të kalbur. Mjafton që të bëhet lajm në medie, portale, objekt diskutimesh në rrjetet sociale, debatet televizive. Duke qenë se edhe i kontrollon shumë prej njerëzve të medieve, ai arrin ta zhvendosë vëmendjen prej halleve e shqetësimeve që kanë njerëzit te agjenda e tij personale. Por, presidenti ynë duhet të tregojë se si ndodhi që edhe një marrëveshje, Demarkacioni, u përfshi në kushtet e fundit nga BE-ja, për liberalizimin e vizave, pasi ka dyshime se ishin vetë autoritetet kosovare që e kërkuan një gjë të tillë. Dhe, në fund të fundit, ç'nevojë ka një lider të hyjë në prapaskena e pazare të tilla në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës?! Këtë mund ta bëjnë vetëm politikanët e shantazhuar dhe që janë aq të uritur për pushtet, saqë mund të bëjnë gjithçka që të mos bien nga karrigia e sundimtarit.

(Kosova Sot)