Editoriali: Refuzuesit e shtetit

  • 18 October 2017 - 17:07
Editoriali: Refuzuesit e shtetit

Serbët vazhdojnë të sfidojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, ndërsa prej formimit të Qeverisë, për herë të parë, Lista e tyre është më me ndikim se asnjëherë tjetër. Kjo do të thotë se vendimet e rëndë- sishme që pritet t'i marrin institucionet tona duhet të kalojnë edhe në filtrin e Beogradit. Edhe pse ka një përpjekje të Prishtinës zyrtare për të mos e pranuar faktorizimin e pakicës serbe, pas formimit të koalicionit qeveritar, e vërteta është krejtësisht tjetër. Në rrethana të tjera, për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që e dështojnë ceremoninë e betimit, do të duhej të pasonte ndëshkimi sipas ligjit, por në kushtet aktuale as që pritet të ketë ndonjë pasojë për refuzuesit e zbatimit të ligjshmërisë. Dështimi i djeshëm nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, por tregues shqetësues se çfarë paraqet në fakt Marrëveshja për Drejtësi, e nënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Prej pasluftës, në pjesën veriore ka mbretëruar anarkia ligjore, ndërsa për mijëra banorë drejtësi nuk ka pasur asnjëherë. Një situatë e tillë alarmante mund të vazhdojë pafundësisht, përderisa as vetë Bashkimi Evropian nuk po mërzitet dhe aq për telashet që po dalin në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Gjendja mund të tensionohet edhe pas kritikave të shtuara të presidentit të Kosovës, kundër BE-së, për neglizhencë edhe në rastin e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që dështoi dje. Edhe pse nuk mungoi përkushtimi i institucioneve kosovare që ta respektojnë afatin e marrëveshjes, pas disa zvarritjeve, duket se Serbisë nuk i ka interesuar një gjë e tillë. Kërkesa dhe shantazhe të reja mund të adresohen te Qeveria e Kosovës, në prag të rihapjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Këtu mund të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjes për drejtësi dhe kompromise të reja që duan serbët. Kjo është e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, ku shtrirja e sundimit të ligjit nuk do të duhej të diskutohej, e jo më të varej nga një shtet fqinj si Serbia.

(Kosova Sot)