Editoriali: Votë pazaresh apo votë ndryshimi

  • 30 October 2017 - 17:04
Editoriali: Votë pazaresh apo votë ndryshimi

Balotazhi në 19 komuna i ka mobilizuar partitë të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për të bashkëpunuar me njëra- tjetrën, duke hedhur pas krahëve të sharat gjatë fushatës. Këto ditë janë të mbushura me gjithfarë prapaskenash që bëjnë rivalët, për të siguruar mandatin në krye të komunave. Vëmendja është e përqendruar, kuptohet, te komunat e mëdha, por pazaret sigurisht që përfshijnë edhe komunat më të vogla. Pushteti është më i ëmbël se gjithçka, prandaj tërë arsenalin e tyre subjektet në garë do ta aktivizojnë që të marrin ndonjë hise pushteti. Të jemi të qartë, askush nuk synon të vijë në krye të komunës për të marrë një rrogë kryetari apo të jetë njëri nga drejtorët e ardhshëm. Po të ishte për këtë, shumica as që do t'ia mësynin asnjëherë kësaj beteje elektorale. Të marrësh pushtetin do të thotë të kesh nën kontroll buxhetin, punësimet, lejet e ndërtimit, e plot e plot gjëra të tjera, që nga politikëbërësit tanë nuk shihen si detyrime ndaj qytetarëve për t'u shërbyer, por mundësi ideale për t'u stërpasuruar. Edhe koalicionet eventuale që bëhen në prapaskenë shumica, për të mbështetur këtë apo atë kandidat, në thelb janë koalicione interesi, ndarje pushteti, por jo edhe aleanca parimore. Vetëm qytetarët mund t'ua prishin këto pazare partive tona të papërmirësueshme e të korruptuara. Votuesit kanë filluar të vetëdijesohen dhe duhet t'i ndëshkojnë të gjithë ata që e morën një herë besimin e pastaj e shpërdoruan atë. Rasti i Prishtinës është ilustrimi më i mirë se si një kryetar, pasi fiton zgjedhjet me mbështetjen në balotazh, për katër vjet i ha fjalët e veta dhe dështon tërësisht. Sovrani duhet t'u japë një mësim të mirë partive dhe kandidatëve të dështuar, në mënyrë që të mësohen më në fund se qeverisja nuk është thjesht një privilegj, por një detyrim i madh politik e ligjor, që duhet përmbushur, duke mos harruar zotimet elektorale.

(Kosova Sot)