Editoriali: Tallje kufitare

  • 31 October 2017 - 17:01
Editoriali: Tallje kufitare

Ministri i Jashtëm është i njohur për sharlatanizmin e tij politik, por një të mirë e ka-nganjëherë është i sinqertë në ballafaqimin me komisionet parlamentare. Kësisoj, edhe dje, biznesmeni që ia rrëmbeu PAN-it gati gjysmën e Qeverisë, deklaroi se Demarkacioni nuk mund të rinegociohet, sepse Mali i Zi e ka mbyllur tashmë këtë punë. Le të mos harrojmë se kreu i MPJ-së ka zhvilluar një vizitë në Podgoricë, ku ka marrë informata për qëndrimin e palës malazeze, pas vendimit të Qeverisë kosovare që të rishohë marrëveshjen e nënshkruar nga ish-Qeveria "Mustafa". Ndërkohë, kryeministri ynë, një kundërshtar i ashpër i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, shpreson se do të shohë rezultatet që e çojnë vijën kufitare në Çakorr, pas punës së Komisionit të ri, të emëruar prej tij. E tash, kush po e thotë të vërtetën këtu?! Nga e njëjta Qeveri dalin dy e më shumë versione për Demarkacionin. Njëri thotë negociohet, tjetri thotë nuk ka shanse rinegociimi. Ose kryeministri, ose ministri i Jashtëm, njëri nuk kanë të drejtë. Kjo situatë tregon joseriozitetin e politikës kosovare në përgjithësi dhe Qeverisë aktuale në veçanti. Qeveria ose duhet të jetë e njëzëshme në qëndrimet e saj për këtë çështje të ndjeshme ose duhet të heshtë, e të paktën të mos krijojë paqartësi të reja në opinionin publik. Si rrjedhojë e bllokadës së bërë për Marrëveshjen e Demarkacionit, Kosova nuk ka arritur të përfitojë liberalizimin e vizave. Vendi ynë është i vetmi që mbetet i izoluar dhe qytetarët tanë nuk mund të lëvizin lirshëm në hapësirën e Shëngenit. Politika konfliktuoze po e dëmton perspektivën zhvillimore të vendit, ndërsa Kuvendi i kaluar, e me gjasë edhe ky i tashmi, do të dështojnë sërish në ratifikimin e marrëveshjes. Qeveria, që mbijeton me 61 vota, vështirë se do t'i bëjë dy të tretat e nevojshme për ta finalizuar këtë temë. Ndërsa deklarata kontradiktore shtohen brenda vetë Qeverisë, në malet e Rugovës, anëtarët e Komisionit të ri fotografohen pareshtur.

(Kosova Sot)