< Shteti të kompensojë konsumatorët, të ndëshkohen përgjegjësit për faturat - Editoriali - Kosova Sot
Shteti tė kompensojė konsumatorėt, tė ndėshkohen pėrgjegjėsit pėr faturat

Shteti tė kompensojė konsumatorėt, tė ndėshkohen pėrgjegjėsit pėr faturat

U desh ndërhyrja e Avokatit të Popullit, për të ndalur diskriminimin skandaloz të ZRRE-së dhe KEDS-it, që mbi kurrizin e konsumatorëve këndej urës së Ibrit në anembanë Kosovës, faturonin edhe shpenzimet e energjisë, që nuk paguheshin nga serbët e veriut. Konsumatorët gjithashtu janë ngarkuar edhe me humbjet komerciale (vjedhje e energjisë, humbje për shkak të vjetërsisë së rrjetit etj.).

Për disa vjet me radhë, kostoja e këtij skandali llogaritet të ketë mbërritur dhjetëra milionë euro, ndërsa qytetarët janë detyruar ta paguajnë një sasi energjie, që nuk e kanë shpenzuar. Kompania shpërndarëse, si dhe organi rregullator, duhet të japin llogari për këtë shpërdorim të pozitës së tyre në treg, duke shkelur kështu në mënyrë drastike të drejtat e konsumatorëve. Nuk ndodh askund në botë, që qytetarët të detyrohen të paguajnë për energjinë që nuk e kanë shpenzuar! Nëse nuk ke paguar me kohë faturat, KEDS-i të ka shkyçur menjëherë, edhe pse tash po rezulton se secila faturë, deri në pezullimin e vendimit diskriminues nga ana e ZRRE-së, ka qenë e fryrë dhe nuk ka përmbajtur vetëm kilovatët e harxhuar nga secili konsumator. Do të jetë interesante të shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë kjo Qeveri, që e ka gojën plot punë e përkushtim për qytetarët e këtij vendi. Këta pushtetarë tash e kanë rastin të dëshmojnë se janë duke punuar në të mirë të shoqërisë.

Këtë mund ta konkretizojnë fare thjesht, duke i kompensuar të gjithë konsumatorët, në faturat e ardhshme, për abuzimin e bërë me shpenzimet. Ky popull është lodhur duke qenë i shtypur dhe i nëpërkëmbur tërë kohën, në çdo regjim, nën sundimin e secilës qeveri. Qytetarët nuk do të duhej të heshtnin, por kjo aferë do të duhej të shërbente si motivim për një reagim të fuqishëm. Kurrë më shumë nuk ka pasur arsye për të protestuar, kundër një padrejtësie të tillë!

(Kosova Sot)

4 orë e 30 minuta më parë