< Po "princërit" tanë kush i arreston? - Editoriali - Kosova Sot
Po "princėrit" tanė kush i arreston?

Po "princėrit" tanė kush i arreston?

Në Arabinë Saudite të jesh princ nuk do të thotë të kesh imunitet të përjetshëm ndaj drejtësisë, pavarësisht veprimeve që bën. Kështu, së fundmi, disa princër u prangosën të akuzuar për korrupsion dhe abuzime të tjera. Për dallim prej tyre, "princërit" e pushtetit në Kosovë dhe në Shqipëri janë ende të paprekshëm. Jeta e sheikëve është shumë tërheqëse për politikanët dhe oligarkët shqiptarë, këndej dhe andej kufirit. Shumica prej tyre pasurinë marramendëse, që mund t'i kompleksojë edhe vetë princërit e Arabisë, e kanë vënë duke zhvatur pasuritë publike dhe buxhetet shtetërore, përmes tenderomanisë, licencave, skemave të sofistikuara kriminale, trafiqeve të paligjshme e kontrabandës së mbrojtur nga vetë organet e kapura të shtetit. Në mungesë të një drejtësie të guximshme, duke blerë hetues, prokurorë e gjykatës, pushtetarët e inkriminuar, deri tash, kanë arritur të notojnë pa u trazuar nga askush, por kjo histori krimi e pushteti, miliardash të pistë dhe abuzimi të pandalshëm, një ditë duhet të marrë fund.

Në Shqipëri ka nisur VETTING-u, ndërsa së fundmi kanë zbarkuar edhe ekspertë nga jashtë, në kuadër të aksionit më të ri "Forcës së Ligjit", për të nxjerrë para drejtësisë kokat e mëdha të botës së krimit, që është i përzier me politikën. Ndërsa në Kosovë ende as që flitet për një reforme të tipit të VETTING-ut. Politika aktuale është e painteresuar që të zbardhë fijet e krimit, të cilat qartazi të çojnë në derën e zyrtarëve të lartë kosovarë.

Ndërkohë, as ndërkombëtarët nuk është se po e ngrenë shumë zërin, siç bën për shembull në Tiranë ambasadori amerikan atje, që përmend edhe emrat kryesorë të familjeve mafioze. Mafia që qarkullon miliarda i ka shtrirë degët e saj në institucionet shtetërore, duke siguruar kështu mbështetje të fuqishme, për të vepruar e sigurt në aktivitetet e saj kriminale. Derisa këto lidhje krimi nuk ndërpriten, pushtetarët e korruptuar do të trashin xhirollogaritë, teksa populli i pashpresë varfërohet gjithnjë e më shumë. Më tepër se kurrë, na duhet sot Forca e Ligjit! 

(Kosova Sot)

4 orë e 29 minuta më parë