Editoriali: Hipokrizia e VV-së

  • 09 November 2017 - 17:04
Editoriali: Hipokrizia e VV-së

Koalicioni i Lëvizjes "Vetëvendosje" me Aleancën Kosova e Re në Prishtinë vërteton edhe një herë se VV-ja i ka dhënë fund idealit për shtet e komb, duke përqafuar, si partitë e tjera, idealin për sa më shumë lekë. AKR-ja, me dy deputetë ka gati gjysmën e Qeverisë, duke e shndërruar ekzekutivin në më sharlatanin që kemi parë ndonjëherë. Por, edhe pse partia e biznesmenit prorus Behgjet Pacolli, e mbajti në pushtet PDK-në që e rrënoi Republikën, bashkë me aleatët e saj, për VV-në nuk ka ndonjë pengesë të bëjë pazare pushteti, të ndajë Drejtori e të planifikojë dhënie lejesh ndërtimore për oligarkët kosovarë. Për të mbajtur me çdo kusht në karrigen e kryetarit Shpend Ahmetin, Lëvizja nuk do të kursejë asgjë, duke harruar parimet dhe qeverisjen e mirë. Këto zgjedhje po na tregojnë se edhe këtij subjekti që keqqeverisi kryeqytetin për katër vjet, iu shqye maska, që u përpoq ta mbante edhe në zgjedhjet lokale, por votuesit ia zbuluan fytyrën e vërtetë. Balotazhi është raundi ku fituesi është në dorën e qytetarëve, të cilët janë vetëdijësuar se nuk bën t'u binden marrëveshjeve të paskrupullta politike, por të zgjedhin alternativën më të mirë, më efikase, më të pastër, për t'ia dhënë shansin që të qeverisë. Këtë besim Shpend Ahmeti nuk e ka më dhe ai po e ndien tashmë, kurse si rrjedhojë ndodh edhe një koalicion, si ky i djeshmi mes VV-së dhe AKR-së. Me këtë veprim pushtetarët në Prishtinë po na bindin se për pushtet janë në gjendje të bëjnë gjithçka, sepse të qënurit në pozita u jep mundësi të kenë përfitime të jashtëzakonshme. Por, kryeqyteti është rast specifik, sepse vetëdija e votuesve është ngritur në atë nivel, saqë koalicionet edhe mund të mos pinë ujë në ditën e votimit. Dhe, nëse qytetarët e kthejnë me shpejtësi kokën katër vjet pas, duke bërë një vlerësim të punës së kryetarit në ikje, do të binden se nuk ia vlen të mashtrohen sërish!

(Kosova Sot)